Dita e sotme e në veri të vendit ka zbardhur me prezencën e qindra protestuesve serbë, kryesisht punëtorë të institucioneve, para tri komunave veriore të vendit, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ata po qëndrojnë nëpër tendat e improvizuara para ndërtesave komunale, ndërsa në Leposaviq kanë organizuar edhe aktivitete sportive.
Situata aktuale mund të konsiderohet e qetë, ndonëse protestuesit serbë vazhdojnë të dëgjojnë muzikë nacionaliste.
Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Ndërsa mbrëmë (e hënë) kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm me emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, ka thënë se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë dhe gazetarëve. Ndërsa emisarët parashtruan tri kërkesa për të cilat deklaruan se presin të dëgjohen nga Qeveria e Kosovës.
“I pari është deeskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog”, ishin kërkesat e tyre.