UBT News

​Qeveria u ofron mbështetjen e plotë kryetarëve të sapozgjedhur në veri

Qeveria e Republikës së Kosovës ka lëshuar edhe një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, ku ka theksuar se fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje.

Qeveria në këtë deklaratë vlerëson se zgjedhjet e djeshme ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë. Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje. Krahas institucioneve për punën e tyre, falënderojmë qytetarët për kurajën dhe qetësinë. Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Kryetarëve dhe asamblistëve të sapo zgjedhur në këto komuna u urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim”, thuhet në deklaratë.

Të dielën u mbajtën zgjedhjet e parakohshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi kryetarët e këtyre komunave – të gjithë nga radhët e Listës Serbe – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Exit mobile version