Pas shtrenjtimit të naftës në tregun tonë deri 1.65 euro, qeveria ka marrë vendim që ta subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro ose 36 centë për një litër.
Në raport për rrethanat e krijuara, bujqit përpos naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror, 150 euro për hektar për grurin, kurse nga 100 euro për hektar për kulturat e misrit, patates dhe fasules.
Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media theksoi se nafta është një ndër shpenzimet kryesore operative për bujqit, prandaj, po e marrin këtë vendim për mbështetjen e fermerëve në këtë kohë krize.
“Nafta parqet një ndër shpenzimet kryesore operative për fermerët, deri këtë vit përkundër premtimeve që janë dhënë asnjë qeveri nuk i ka përkrahur bujqit në këtë drejtim. Pra, ne po sigurohemi që vetëm bujqit e vërtetë të marrin përkrahje, edhe tani po e shtojmë këtë përkrahje. Me subvencionimin e naftës përmbushet edhe një zotim publik, zgjedhor dhe qeveritar i yni. Sot, është nevojë urgjente e bujqve ndaj të cilëve kemi përgjegjësi. Sot, duke mbajtur zotimin para qytetarëve Qeveria e Kosovës do të subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro. Andaj, prej 36 centë për litër do të subvencionohet nafta për të gjitha kulturat. Në raport për rrethanat e krijuara, bujqit përpos naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror . 150 euro për hektar për grurin, kurse nga 100 euro për hektar për kulturat e misrit, patates dhe fasules”, tha ai.
Ndërkaq, për grurin përveç subvencionimit prej 150 euro për hektar, Kurti tha se do të bëhet subvencionimi prej 3 centë për një kilogram për dorëzim në mulli. Në total, sipas tij, duke përfshirë këtu subvencionimin e sipërfaqes, rendimentit, plehërimit pranveror dhe naftës, kultura e grurit po subvencionohet për 474 euro ose 320 euro më shumë.