UBT News

​Qeveria pritet të hartojë Ligjin për çmimet në produktet bazë

Plot njëzet vendime ka marrë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme. Ekzekutivi përmes ndryshimit të agjendës legjislative, synon hartimin e Projektligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore. Ndërkohë, ndau 5.5 milionë euro për të vazhduar mbështetjen ndaj stafit shëndetësor, si dhe rreth 200 mijë euro për sigurimin e librave për Luginën e Preshevës.

Kryeministri Albin Kurti, tha se është i nevojshëm hartimi i rregullave që mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë.

Sipas tij, i njëjti duhet të miratohet në Qeveri më së largu deri në muajin gusht.

Kësaj radhe po bëjmë përditësimin e agjendës legjislative në mënyrë që të hartojmë rregulla që do të mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë. Për të adresuar gjendjen në treg është e pashmangshme që Projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht gjatë këtij viti”, tha ai.

Duke prezantuar mbështetjen financiare ndaj stafit shëndetësor, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ndaj tyre do të ketë shtesa prej 10 përqind mbi pagën bazë, për muajt korrik-dhjetor 2022.

Po vazhdohet mbështetja që ka qenë për stafin shëndetësor në kuadër të masave të marra në luftën kundër pandemisë COVID-19. Mbështetja fillestare ka qenë e paraparë të vazhdojë deri në fund të muajit qershor 2022. Mirëpo me rikthimin e numrave dhe ndryshimin e situatës konsiderojmë se mbështetja duhet të vazhdojë për stafin shëndetësor, 10 për qind mbi pagën bazë. Konsiderojmë të nevojshme të ketë staf të motivuar dhe angazhuar në luftën kundër COVID-19. Në lidhje me këtë parashihen të ndahen mjete në shumën financiare prej 5.5 milionë euro”, tha ai.

Krahas kësaj, ekzekutivi ndau edhe 1.7 milionë euro për grante për zanatin.

Qeveria miratoi edhe programin për diplomaci qytetare, që sipas ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, forcon lidhjet me mërgatën dhe i ofron atyre mundësi angazhimi në MPJD.

Programi për diplomaci qytetare është një program pilot i MPDJ-së dhe qëllimi është që të ndërlidh profesionistët nga mërgata, duke iu ofruar hapësirë angazhimi në MPJD, si pjesë e një programi 6-mujor”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi edhe tri projektligje që prekin sektorin e sigurisë. Kabineti qeveritar i dha dritë të gjelbër Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjit për FSK-në dhe Projektligjit për Shërbimin në FSK.

Exit mobile version