Me një minutë heshtje ka filluar mbledhja e sotme (e mërkurë) e Qeverisë së Kosovës në nderim të rreshterit policor Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Qeveria si mbështetje ndaj familjes së heroit Bunjaku ndau 50 mijë euro, derisa dhanë rreth 15 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve shtëpiake efiçiente, kompensimin e dëmeve natyrore në bujqësi në 14 komuna, rrugën Prishtinë-Podujevë, ndërtimin dhe rinovimin e qendrës nacionale të xhudos në Pejë si dhe rinovimin e disa klinikave në QKUK.
Kryeministri Albin Kurti tha se 5 milionë eurot e ndara për subvencionimin e pajisjeve efiçiente do të jenë për konsumatorët në nevojë për investimin e pajisjeve elektro-shtëpiake, si rrobalarëse, enëlarëse dhe frigoriferë.
“Në zbatim të masës për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në veçanti të konsumatorëve në nevojë me investimin e pajisjeve elektro-shtëpiake efiçiente duke përfshirë rrobalarëse, enëlarëse dhe frigorifer”, tha ai.
Ndërkaq, ministri Murati tha se për shkak të dinamikës së shtuar në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë është e nevojshme të ndahen edhe gjashtë milionë euro.
“Në linjë edhe me zotimet tona si qeveri që kemi thënë se varësisht edhe nga dinamika e zbatimit të projekteve jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje shtesë brenda për brenda vitit fiskal, ashtu që projektet të kryhen më shpejtë. Kemi parë dinamikë të shtuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe si rezultat kanë dorëzuar kërkesën për mjete shtesë. Parashikimi është që deri në fund të vitit nevojitet edhe gjashtë milionë euro të tjera”, tha Murati.
Krahas këtyre, ekzekutivi ndau mbi 1 milion euro për mbështetje për fermerë që kanë pësuar dëme në bujqësi. Po ashtu, shuma e njëjtë u dha edhe për rinovimin e disa klinikave në QKUK.
Ndërkaq 5.5 milionë euro janë ndarë për ndërtimin dhe rinovimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
Në anën tjetër, ekzekutivi shkarkoi edhe Bordin e ndërmarrjes publike “Trepça”, për shkak siç u tha, mos kryerjes së detyrave të veta bazike.
Ata edhe emëruan edhe bordin e përkohshëm në përbërje, kryesuese Rrezarta Pllanën dhe anëtarë Alban Krasniqi, Merita Beqiri-Gashi dhe Dragisha Kërstiq.
“(Bordi) Nuk ka miratuar strategjinë zhvillimore të ndërmarrjes. Nuk ka miratuar rregullore për kompensimin e punëtorëve për realizimin e planit të prodhimit dhe të hyrave, kjo që nevojitet për të nxitur punëtorët me shpërblime për tejkalimin e planit dhe për të shmangur detyrimet e papërballueshme për pagat. Po ashtu ka vendosur të shpallë konkurs për punësimin e xehetarëve pa kërkesë paraprake të menaxhmentit”, theksoi ajo.
Po ashtu, qeveria dërgoi në Kuvend për miratim tre anëtarë vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në përbërje Mirlinda Batalli-Zhubi, Avni Berisha, Jetmir Haxhibeqiri.
Ndërkaq u dha drita e gjelbër vendimit për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të dëmtuara gjatë viteve 1998-1999.