UBT News

​Qeveria ndan 10 milionë euro për efiçiencë të energjisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 10 milionë euro për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ndarja prej 10 milionë euro për Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë është për të rritur efiçiencën në ndërtesat e banimit social në tërë Kosovën.

“Ndarjen e shumës prej 10 milionë euro për Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë që të mundësohet renovimi dhe të merren masa tjera izoluese për të rritur efiçiencën e energjisë në ndërtesat e banimit social anekënd shtetit të Kosovës, Kjo masë ka të bëjë me masën 3 që është në kuadër të planit të veprimit të përgatitur nga ministria e Ekonomisë që parasheh shtrirjen dhe shfrytëzimin e fondeve mbështetëse të pakos së BE për mbështetje për tejkalim të krizës energjetike”, tha ai.

Po ashtu, në këtë mbledhje të Qeverisë është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e pikës 1.1 të vendimit të Qeverisë në kuadër të masës 3.7-mbështetje në tejkalimin energjetike të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Ky propozim ka të bëjë me zëvendësimin e burimit të financimit meqenëse se marrëveshje me Komisionin Evropian është nënshkruar më vonë gjatë këtij viti. Ne për të mos ndërprerë masën kemi vazhduar që të paguajmë nga granti qeveritar përkundër faktit që dakordimi ka qenë që, që nga dhjetori e deri në mars subvencioni të paguhet në muajin prill, të paguhet nga BE në vlerë prej 15 milionë euro. Pra, kemi të bëjmë me zëvendësim të burimit të financimit, nw këtë rast ku mjetet e grantit qeveritar në vlerë prej 9 milionë euro zëvendësohen me mjetet e Fondeve IPA nga pako e BE-së”, tha ai.

Qeveria ka ndarë edhe 600 mijë euro për financimin e projektit “Sistemi i monitorimit elektronik” për vitin 2023. Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete merren nga shpenzimet e paparashikuara, kategoria e shpenzimeve kapitale.

“Fjala është për alookimin e mjeteve të nevojshme për prokurimit e sistemit të monitorimit elektronik, dhe bëhet fjalë për kërkesë në nivelin 600 mijë euro, mjetet merren nga shpenzimet e paparashikuara kategoria e shpenzimeve kapitale dhe transferohen në MPB”, theksoi ai.

Qeveria sot ka shfuqizuar vendimin e 19 tetorit 2020, i cili siç tha ministri i Financave, Hekuran Murati, me të cilin ishte ndaluar procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre.

Ekzekutivi kosovar në mbledhjen e sotme ka ndarë edhe 15 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe ratifikimin e marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Sllovenisë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështje penale, për ekstradim dhe për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale.

Në këtë mbledhje të Qeverisë së Kosovës është miratuar dhe projekt- rregullorja për zëvendësimin apo mungesën e përkohshme nga puna nëpunësve civil. Ekzekutivi kosovar miratoi po ashtu edhe Projekt-udhëzimin administrativ për shitjen e të dhënave statistikore, si dhe Projekt-udhëzimin administrativ për mbrojtjen e statistikave dhe qasjen e të dhënave mikro.

Exit mobile version