Kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për Gjykatën Komerciale. Në mbledhjen e sotme u tha se themelimi i saj shënon një hap para në reformimin e drejtësisë komerciale në Republikën e Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se me themelimin e kësaj gjykatë do të përshpejtohet shqyrtimi dhe trajtimi i lëndëve komerciale.
“Duke pasur parasysh ngarkesat e Gjykatave Themelore në zgjidhjen e kontesteve të natyrave të ndryshme përfshirë edhe natyrës komerciale, e cila vazhdon të zgjas me vite të tëra, ka lindur nevoja e themelimit të një mekanizmi juridik, i cili përshpejton shqyrtimin dhe trajtimin e lëndëve komerciale. Stërzgjatja e trajtimit të lëndëve komerciale me vite të tëra ka cenuar sigurinë juridike dhe ka dëmtuar ambientin e të bërit biznes, si dhe i ka dekurajuar investimet në Kosovë, rrjedhimisht ka dëmtuar edhe ekonominë e vendit”, ka thënë Haxhiu.
Më tej, Haxhiu ka thënë se me këtë projektligj do të normohen politika adekuate, të cilat themelojnë një gjykatë të veçantë, ku do të merret ekskluzivisht me trajtimin e zgjidhjeve të kontesteve mes personave juridik, fizik dhe shoqërive tregtare.
“Themelimi i kësaj gjykate do të mundësojë zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, sepse i njëjti përveç tjerash ka për qëllim nxitjen e investimeve nga bashkatdhetarët tanë ndaj investimeve në Republikën e Kosovës, për shkak të garantimit të sigurisë juridike dhe krijimit të një ambienti të përshtatshëm të të bërit biznes”, ka shtuar ajo.
Ministrja Haxhiu ka shtuar se themelimi i gjykatës komerciale shënon një hap para në reformimin e drejtësisë komerciale në Republikën e Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka ngritur çështjen e pagesave të zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, që sipas tij duhet të përcaktohen në këtë projektligj që të jenë një vijë me Ligjin për Zyrtarët Publikë.