Qeveria e Kosovës miratoi sot draftin e Strategjisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, objektivë e të cilit është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u shpreh se objektivat e strategjisë së mbrojtjes janë bazuar në interesat shtetërore.
“Në këtë dokument përcaktohen objektivat kryesore për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, modernizimin dhe avancimin e kapaciteteve ushtarak, zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, anëtarësimin në organizata dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare si dhe avancimin e bashkëpunimit me NATO dhe mekanizmat e saj në Republikën e Kosovës. Objektivat e strategjisë së mbrojtjes janë bazuar duke u bazuar në interesat shtetërore, këto objektiva do të përmbushen në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Andaj, duke pasur parasysh se kjo strategji ofron drejtimin kryesor e sistemit të mbrojtjes për tu përgjigjur kërcënimeve dhe rreziqeve në Kosovës”, tha ai.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi kërkesën për themelimin e Këshillit organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit dhe shënimin e 10 qershorit, 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Kryesuesi i Këshillit organizativ është ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ndërsa anëtarë janë përfaqësues nga: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga Zyra e Kryeministrit.
Po ashtu, u ftuar edhe anëtarë nga Presidenca, Kuvendi, Komuna e Prishtinës, komandanti i FSK-së, nga organizatat e dala nga lufta, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, përfaqësues i familjes Jashari dhe nga organizatat joqeveritare.
Me propozim të ministritë të Shëndetësisë, Arben Vitia Qeveria e Kosovës miratoi formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.
Po ashtu, qeveria vazhdoi mandatin për anëtarët e Komisionit për Kompensimin e viktimave të krimit në përbërje të Shukrije Statovcit dhe Valbona Çitakut.