UBT News

​Qeveria miratoi kërkesën e Telekomit për huamarrje prej 15 milionë euro

Qeveria e Kosovës miratoi në parim kërkesën e Telekomit të Kosovës për huamarrje prej 15 milionë euro për projekte investive.

Vendimi është marrë në mbledhjen e ekzekutivit ku kryeministri Albin Kurti tha se fuqizimi i ndërmarrjeve publike mbetët prioritet i qeverisë.

“Fuqizimi i ndërmarrjeve publike dhe rikthimi i tyre drejt profitabilitetit përmes mirë menaxhimit dhe mundësimit të investimeve kapitale mbetët prioritet i yni, andaj Ministria e financave, Punës dhe Transferove ka sjellur për aprovim kërkesën e Telekomit për huamarrje në vlerë prej 15 milionë euro për projekte investive në Telekom”, tha Kurti.

Ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe do të ndihmojë edhe në përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi i Kosovës.

“Tani është radha që të vihet në dispozicion pjesa e dytë, një shumë prej 15 milionë euro dhe kësisoj të kompletohet i tërë plani investiv sa i përket përditësimit të rrjetit dhe infrastrukturës. Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese në teknologjinë e informacionit dhe do të ndihmojë edhe në përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi i Kosovës”, tha ai.

Në këtë mbledhje u miratua edhe kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për lirim zero nga tatimi doganor. Murati tha se bëhet fjalë për tri kategori të produkteve që i shtohen listës së lirimeve tatimore.

“E kemi angazhuar Doganën e Kosovës në mënyrë që të konsultohet me komuniteti ne prodhuesve dhe të shoh se cilat janë nevojat shtesë sa i përket lirimit nga tatimi në import për disa prej produkteve, sidomos kur bëhet fjalë për lëndën e parë apo pajisje tjera që janë të nevojshme dhe kemi pranuar një raport e i cili ka rekomanduar që lista e lirimeve të zgjerohet edhe për mallrat që njihen si pjesë rezervë të makinerive, pra meqenëse makineritë për prodhim janë të liruara, ka qenë problematike kur është dashur të importohen pjesët rezervë, andaj me këtë rast lirohen edhe pjesët rezervë. Tjetër çfarë lirohet apo çfarë është rekomanduar është që edhe pjesa apo aksesorë të produkteve në rastet kur kemi të bëjmë me montimin e produkteve të caktuara edhe këto të lirohen si dhe propozimi apo rekomandimi i tretë është që të lirohen edhe kanaqet dhe mbyllëset nga çeliku që janë, meqenëse kanë qenë të liruara vetëm ato nga materiali i aluminit, tash zgjerohet lista në mënyrë që të përshihen edhe ato nga çeliku”, tha ai.

Ndërsa është shtyrë pika e shtatë që ishte kërkesa e Ministrisë së Financave për normën e tatimit të akcizës.

Murati tha se bëhet fjalë për përditësimin e listës në mënyrë që të përfshihen edhe nëntë produkte të reja por shtoi se ligji parasheh edhe konsultimin me komisionin përkatës andaj propozoi tërheqjen e këtij vendimi deri në zhvillimin e konsultimeve.

Qeveria miratoi edhe propozim-vendimet për themelimin e ndërmarrjeve publike lokale “Dardania Sh.A Kamenicë, Eko-Llapi Sh.A Podujevë dhe Eko-Theranda Sh.A Suharekë.

“Para themelimit të këtyre ndërmarrjeve në komuna ne synojmë që t’i përgatisim shërbimet publike gjithnjë e më të mira me kosto më të ulët dhe ofrim të shërbimeve të tjera të cilat nuk janë dhënë deri më tani për qytetarët, pra edhe shërbime aktuale të përmirësuara edhe shërbime të reja. Në raportin e dhënë nga komunat për arsyeshmërinë e themelimit të ndërmarrjeve kanë theksuar shumë faktorë që arsyetojnë themelimin e ndërmarrjeve publike me kapital themeltar si pronare me 100% të aksioneve në komuna, ndërsa planet e bizneseve të prezantuara nga komunat kanë për synim analizimin e arsyeshmërisë financiare dhe operative për funksionimin e ndërmarrjeve të reja. Themelimi i këtyre ndërmarrjeve do të ndikojë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve duke ofruar shërbime efikase, rritje të punësimit dhe ekonomizim të kostove për ofrimin e shërbimeve publike”, tha Kurti.

Në këtë mbledhje, Qeveria miratoi edhe propozim-vendimin për aprovimin e ndarjes buxhetore për subvencionim të shtëpive për komunitetet jo shumicë.

Gjithashtu u miratua kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës për ndarjen e mjeteve buxhetore shtesë prej 300 mijë euro për projektin “Sanimi i rrëshqitjes në rrugën nacionale N23.3 segmenti Mitrovicë-Jarinjë”, te vendi i quajtur “Kërshi i Kaushës”.

Kryeministri Kurti tha se rrëshqitja e dheut ka çuar në shembjen e rrugës çka pamundëson qarkullimin në atë pjesë. Sipas tij sanimi pritet të përfundojë para fillimit të sezonës dimërore.

Gjatë kësaj mbledhje, kabineti qeveritar vendosi të shtyjë disa projektligje të cilat ishin planifikuar për këtë vit, përfshirë atë për ploitësimin dhe ndryshimin e Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal dhe atë për planifikim hapësinor.

Qeveria miratoi edhe propozim-vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës aprovimin e draft-statutit të universitetit publik në Prishtinë.

Gjithashtu u miratua propozim-vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Exit mobile version