Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi miratoi Projektligjin për arsimin e lartë dhe nismën për njohjen reciproke të patentë shoferëve me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut.
Kabineti qeveritar, ndau edhe 30 mijë euro për strehimin e pesë gazetarëve nga Afganistani në Kosovë. Ndërsa, shtyu edhe për gjashtë muaj afatin për rimburësimin e 10 për qind të kursimeve pensionale që qytetarët kanë tërhequr në vitin 2020.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se përmes Projektligjit për arsimit të lartë do të përcaktohen kriteret e qarta për themelimin e institucioneve për arsimin e lartë dhe do të bëhet verifikimi i titujve akademik.
“Përcakton kriteret e qarta për themelimin e institucioneve për arsimin e lartë. Përcakton obligimet dhe detyrat e strukturës qeverisëse të institucioneve publike të arsimit të lartë. Përcaktimi i standardeve minimale dhe kushteve për emërime akademike. Financimi i institucioneve publike në bazë të kontratave të performancës. Vendosja e mekanizmave për sigurimin e integritetit akademik, komuniteti etik në nivel qendror, po ashtu edhe këshillat e etikës në çdo institucion të arsimit të lartë. Verifikimi i titujve akademikë dhe atyre të fituara para hyrjes në fuqi të këtij projektligji”, tha ajo.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, tha se përmes nismës për marrëveshjen ndërkombëtare me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut do të njihen patentë shoferët në mënyrë reciproke.
“Kjo projekt-marrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me qëllim që të lehtësohet qarkullimi rrugor në territoret e dy shteteve, duke dëshiruar që me anë të kësaj marrëveshje të kryhen procedura efektive që qytetarët tanë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar të kenë mundësi që patentë shoferin e Kosovës të zëvendësojnë me atë të Mbretërisë së Bashkuar dhe anasjelltas”, theksoi Sveçla.
Ndërkohë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, tha se strehimi i pesë gazetarëve nga Afganistani i kontribuon mbrojtjes së vlerave demokratike.
Paraqitje të parë në kabinetin qeveritar pati edhe ministri i sapo emëruar në dikasterin e shëndetësisë, Arben Vitia. Ai paraqiti koncept-dokumentin për shëndetin mendor.
“Parashihet avancimi për kujdesin shëndetësor, të drejtat psikiatrike dhe përcaktimi i qartë i të drejtave dhe detyrave institucionale që do të arrihet me hartimin e ri të ligjit për shëndetin mendor”, tha ai.
Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kërkoi shtyrje të afatit edhe për gjashtë muaj të rimbursimin e qytetarëve që kanë tërhequr 10 për qind të kursimeve pensonale në vitin 2020.
“Afati të shtyhet deri në fund të qershori të vitit të ardhshëm”, tha ai.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tregoi performancën e ndërmarrjeve publike gjatë vitit 2022.
“Dhjetë ndërmarrje kanë operuar me humbje, ndërsa shtatë me fitim. Njëmbëdhjetë nga shtatëmbëdhjetë ndërmarrje ka pasur përmirësim në kuptimin e performancës financiare. Te KEK-u kemi pasur rritje të fitimit për 56 për qind, Trepça kemi ulje të humbjeve për 85 për qind, te Telekomi ulje të humbjeve gati në 50 për qind”, tha ajo.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi edhe draftin e strategjisë së reformës në Administratën Publike 2022-2026 dhe projekt-udhëzimin administrativ për mënyrën dhe procedurat e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të sekuestruar dhe konfiskuar.
Po ashtu miratuan edhe koncept-dokumentin për eficiencë të energjisë dhe koncept-dokumentin për rishikimin e ligjeve në sektorin e energjisë.