Zyra e Kryeministit në një komunikatë për media ka shpalosur të gjitha temat që u diskuatuan në takimin e mbrëmshëm të presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.
Fillimisht bëhet e ditur se sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës dhe i falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fuqishme në çështje me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai shprehu mirënjohje për pranimin e afganëve në Kosovë, mbështetjen për Ukrainën që nga ditët e para të fillimit të agresionin rus atje, si dhe punën e përbashkët në aspekte tjera.
Duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e ShBA-së, në takim u vlerësua lart partneriteti dhe aleanca ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. U theksuan raportet bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre, veçanërisht në rrafshin ekonomik, me shtim të investimeve dhe me rritje të shkëmbimeve tregtare.
Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim suksesi i dyfishtë, i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, dhe së dyti, është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik.
U bisedua për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në takim u diskutua për demokratizimin e rajonit si dhe fuqizimin e aleancave për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, si dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së Kosovës, u tha se do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me ShBA-në në NATO, u theksua se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin. Synojmë që siguria e Kosovës të ketë për partner edhe të padiskutueshëm por edhe gjithnjë më të fuqishëm ShBA-në, tha Kryeministri Kurti.
U diskutua për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër , në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.