Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar sot masat e reja për mbështetjen e të gjithë pensionistëve dhe punëtorëve të sektorit privat dhe publik me nga 100 euro për muajin prill.
“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të pakos të cilat kanë për qëllim shtimin e mbështetjes për qytetarët. Kështu për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontributpagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit e kështu me radhë. Për herë të parë do të mbështesim prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat. Pra rreth 300 mijë punonjës. E në kuadër të mbështetjes për të punësuarit do të ndajmë shumën e një hershme prej 100 euro edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publik. Pra po ndajmë nga 100 euro si në sektorin privat ashtu edhe atë publik. Për herë të parë po ashtu të gjithë studentët e republikës do t’i përkrahim me një shumë 100 euro dhe nga kjo do të përfitojnë rreth 80 mijë studentë”, tha Kurti në një konferencë për media.
Kështu 100 milionë euro mbështetje për qytetarët, dyfishim i asistencës sociale për muajin prill. 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill – pension bazik, pension kontributpagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtorët e sektorit publik, 100 euro për 80 mijë studentë dhe 40 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë.