Qeveria e Kosovës ka dalë me një listë të pesë ngjarjeve më të rëndësishme të javës, ngjarje këto që po konsiderohen si arritjet kryesore të javës që lamë pas.
Sipas Qeverisë, ngjarja kryesore është renditja e Kosovës e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka shpërndarë në Facebook këtë listë, me pesë nga ngjarjet kryesore të javës që lëmë pas:
🔵Kosova u rendit e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit kurse e dyta në botë për nga përmirësimi i arritur brenda vitit 2022, sipas Ëorld Justice Project. Sivjet shënuam vlerën më të lartë ndonjëherë në indeksin e këtij raporti.
🔵U miratua në Qeveri projektbuxheti për vitin 2023. Në vlerë prej 3.2 miliardë euro, buxheti për vitin e ardhshëm do të vazhdojë mbështetjen për arsim, shëndetësi, bujqësi e siguri
🔵Kuvendi miratoi Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027. I dyti që nga shpallja e pavarësisë, ky dokument identifikon rreziqet, kërcënimet, sfidat për sigurinë e vendit por edhe mundësitë, objektivat strategjike dhe vizionin për të ardhmen.
🔵U nënshkrua marrëveshja me Malin e Zi për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe rrugës Deçan-Plavë. Krahas rëndësisë ekonomike, këto dy projekte lidhin vendet e banuara shqiptare në dy anën e kufirit.
🔵U nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar për vazhdimin e përkrahjes financiare në mbrojtje dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.