Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur qëndrimin e qeverisë, kundër tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të grumbulluara në Trustin Pensional, teksa ka akuzuar opozitën se po manipulon me konceptin e varfërisë.
Ai madje ka theksuar se kjo nismë po gjen përkrahjen e Listës Serbe, të cilët nuk e kanë brengë jetesën e komunitetit të tyre.
Shefi i ekzekutivit në fjalën hyrëse para kabinetit qeveritar ka përsëritur kundërshtimin për nismën e tërheqjes së 30 për qind të parave të Trustit. Sipas tij, ata që po kërkojnë një gjë të tillë e kanë sjellë vendin në këtë gjendje.
“Nga mbi 630 mijë llogari të cilat janë të hapura, edhe pse gjysma e tyre jo aktive, në Trustin Pensional të Kosovës, 92 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro. 80 për qind të llogarive apo mbi 500 mijë sosh kanë një mesatare vetëm një 1100 euro llogari. Pjesa më e madhe apo afërsisht gjysma e kursimeve janë koncentruar te më pak se tetë për qind e bartësve të llogarive. Pra, që kanë afërsisht gjysmën e mjeteve të akumuluara. 1,2 për qind afërsisht i individëve që kanë llogari në Trust kanë një mesatare 30-fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve me llogari të hapura në Trust. Andaj këta 8 për qind edhe do të ishin përfituesit kryesorë të një skeme për rrënimin e Trustit Pensional të vendit. Janë këta që kanë sjellë këtë propozim në vend dhe janë këta që po keqpërdorin edhe rrjetin medial për të manipuluar opinionin mbi përmasat e krizës dhe domosdoshmërinë e tërheqjes së mjeteve të Trustit si zgjidhje”, ka theksuar ai.
Kurti theksoi se mjetet e Trustit nuk mund të shpenzohen për të zgjidhur problemet e sotme, pasi duhet të shfrytëzohen për pensione.
“Ata po manipulojnë me konceptin e varfërisë, ku nuk bëjnë pjesë vetë dhe me qytetarët e vendit për të arritur qëllimet e tyre personale që nuk janë të qytetarëve të vendit. Buxheti i vitit 2028 është buxheti i yni dhe mjetet në Trustin Pensional janë të tonat, por buxheti në vitin 2028 është për vitin 2028 dhe jo për vitin 2022. Njësoj pensionet nuk janë për tash, por kur të plakemi. Dhe nuk mundemi një problem të përkohshëm tani ta zgjidhim me një rrënim të së ardhmes tonë. Nuk mund të lejojmë që ta humbin edhe të ardhmen edhe mos ta fitojmë të tashmen”, ka thënë Kurti.
Kurti ka komentuar edhe deklaratën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu për Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Ne mbase jemi brezi i parë që mund të ketë pleqëri me dinjitet. Nëse edhe këtë e rrënojmë qysh sot për një problem afatshkurtër, në situatën ku ngjallet panik i paqenë, atëherë brezi ynë humbet këtë mundësi që po e ndërtojmë së bashku. Nisma për tërheqjen e parave të Trustit nuk është rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili duke komentuar deklaratën e përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka thënë përafërsisht se ‘po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim mjetet e Fondit. Ka mjete aq të mjaftueshme FMN’. Ja pra se kush po merret me financa dhe makroekonomi te ne. Është diletantizëm i jashtëzakonshëm, por pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne të tjerët, veç se vetë ai personi”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, krahë partive opozitare është rreshtuar edhe Lista Serbe.
“Këtu më së shumti zell pritet t’iu del në ndihmë edhe Lista Serbe. Nismëtari i idesë ka deklaruar se gëzojnë mbështetjen edhe të Listës Serbe për propozimin e tyre. E besoj që nuk duhet të na bindin që kjo ndodh qoftë për shkak të brengës së madhe të Listës Serbe për koston e jetesës së qytetarëve të Kosovës, apo për shkak se kjo masë do të ndihmonte qytetarëve të komunitetit serb. Andaj, ne nuk kemi se si e mbështesim një nismë të tillë”, ka përfunduar Kurti.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar 26 pika të rendit të ditës. Në Ditën Botërore të Fëmijëve, kabineti qeveritar ka vendosur për themelimin e Komisionit Ministror për memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
Ky komision do të udhëhiqet nga vetë kryeministri Albin Kurti. Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe koncept-dokumenti për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës. Sipas kryeministrit Albin Kurti, ky fond do të ketë rol mbikëqyrës të aseteve të Kosovës.
Qeveria po sot ka marrë vendim për ndarjen e 50 mijë eurove për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.
Po ashtu, është emëruar bordi i ri i drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, ndërkaq është shkarkuar bordin e kompanisë së ujitjes “Drini i Bardhë” me arsyetimin se ka qenë i pasuksesshëm, ku është emëruar një bord të përkohshëm për këtë ndërmarrje.