Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend propozimet sa i përket Ligjit për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës, që t‘u mundësohet mërgatës votimi në ambasada dhe në konsullata.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se si sipas kërkesës Kuvendit i kanë përgatitur opinionin për vlerësimin e ndikimit buxhetor.
“Qeveria e Republikës së Kosovës pas pranimit të përfundimit të Kuvendit të Kosovës numër 08-P-003 të datës së sotme 2.04.2021, për dhënien e mendimit lidhur me nismën legjislative për projektligjin për plotësimin e ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës i cili është ndryshuar dhe plotësuar me ligjin numër 03/L-256 në pajtim me rregulloren e punës së qeverisë dhe me përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës jep mendim lidhur me nismën legjislative dhe e mbështet këtë nismë. Gjithashtu, sipas kërkesës nga përfundimi i Kuvendit janë përgatitur edhe opinioni për vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe opinioni për përputhshmërinë me të Bashkimit Evropian të cilit do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kurti tha se ky projektligj u mundëson mërgatës pjesëmarrjen më të lehtë në procese zgjedhore.
“Ky Projektligj për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës nuk është i ri, ai është gjë që është iniciuar edhe në legjislaturën e gjashtë, pati vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë ku është përkrahur miratimi i tij dhe tani ne po e miratojmë në qeveri për ta proceduar më tej për miratim në Kuvend. Ky projektligj është në funksion të garantimit të të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës edhe siç e dimë e mundëson votimin e bashkatdhetarëve në ambasada dhe konsullata të Republikës duke ua krijuar mundësinë për pjesëmarrje më të lehtë në procesin zgjedhor duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.
Partitë politike kanë dalë kundër ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje.