Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka publikuar 20 masat obligative për institucionet publike për kursimin e energjisë elektrike gjatë sezonit të dimrit, për të përballuar krizën energjetike të paralajmëruar në vend.
Në mbledhjen e Qeverisë, ministrja Rizvanolli ka thënë se këto masa fillimisht janë për sektorin publik dhe ndërmarrjet publike, ndërsa në ditët në vijim do të vlejnë edhe për sektorin privat.
Pikat që përfshihen në këto masa janë: zëvendësimi i poçeve standarde në LED, të ndalohet ngrohja ku s’ka prezencë fizike e të ndalohet ngrohja e ujit, përveç në spitale dhe kur është e domosdoshme.
Po ashtu Qeveria i cakton temperaturat e dhomës: prej orës 8:00 -16:00 të jetë 19 gradë.
“Tejkalimi sa ma i lehtë i krizës energjetike posaçërisht gjatë këtij dimri do të varet shumë nga veprimet e secilit institucion, mirëpo edhe sjellja jonë në bazë ditore dhe shembulli që jepet për qytetarët. Janë mbi 20 masa të cilat janë të detyrueshme për sektorin publik, institucionet publike qendrore dhe lokale, si dhe për ndërmarrjet publike. Të gjitha masat kanë bëjnë me kursimin e energjisë: Të zëvendësohen poçet standard me poça LED, të ndalohet ngrohja në zyra apo objekte ku nuk ka prezencë fizike; Të ndalohet ngrohja e ujit nëpër objektet dhe institucionet publike(ndalimi I bojlerëve), përveç në institucionet si spitalet ku uji i ngrohtë është i domosdoshëm, të ndalohem pajisjet elektrike, të ndalohet përdorimi i klimave (kondicionerëve) përveç në rastet kur nuk ka alternativa të tjera për ngrohje. Të ndalen pajisjet elektrike në rastet kur nuk do të përdoren më shumë se 10 minuta; të mospërdoret ndriçim në hapësira të brendshme gjatë periudhës kur ka ndriçim të mjaftueshëm; të ndalet çdo billboard që ka ndriçim dekorues në të gjitha objektet…Të ndalet i gjithë ndriçimi që s’është i domosdoshëm për siguri fizike të objektit gjatë natës, të sigurohet që gjatë orarit të punës 08:00-16:00 temperatura për ngrohjen e hapësirave të jetë jo më e lartë se 19 gradë celsius, të sigurohet që pas orës 16:00 deri në 07:00 në mëngjes temperatura të zbritet në minimum ku ngrohja bëhet me energji elektrike, të sigurohet që të gjitha dritaret e objektit të jenë të mbyllura”, theksoi Rizvanolli.