UBT News

​Që të rritet dinamika e punës së komisioneve hetimore, deputetët kërkojnë të ndalen debatet ashpra

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për mbledhjen e ardhshme ka ftuar sërish ministrin e Financave, Hekuran Murati në intervistë lidhur me krizën energjetike.

Në diskutimin rreth dinamikës së punës së Komisionit hetimor gjatë sesionit vjeshtor, kryetar i këtij komisioni Driton Selmanaj ka propozuar që në këtë sesion të shtohet dinamika e punës dhe të mbahen nga dy mbledhje në javë, të hënën dhe të premten.

Megjithatë Komisioni me kërkesë të anëtarëve vendosën që mbledhjet të mbahen vetëm një herë në javë, të premten, tërë ditën.

Deputeti Selmanaj tha se vetëm dy intervista janë mbajtur në sesionin pranveror, dhe njëra prej tyre ka mbetur në gjysmë ajo me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ne po futemi në tre muajt e fundit të mandatit që e kemi si Komision hetimor. Fillimisht na morën kohë përgatitjet për caktim të ekspertëve, dhe ne filluam me dy intervista, me dy ministra nga kabineti qeveritar, megjithëse intervista e fundit nuk përfundoi deri në fund me ministrin e financave. Prandaj, propozoj që dinamika jonë të jetë më e lartë gjatë këtij sesioni dhe të fillojmë të mbajmë nga dy mbledhje në javë, në mënyrë që t’i kryejmë më shpejt intervistat”, tha ai.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që për sesionin vjeshtor të ndalen debatet e ashpra mes deputetëve që nuk përkojnë me periudhën kohore të punës së këtij komisioni.

Për rritjen e dinamikës së punës, mendoj se nëse e caktojmë një ditë, të premten dhe vendosim një limit kohor, mund ta mbajmë mbledhjen më gjatë. Po ashtu dua të ngris një çështje, e cila uroj të trajtohet me seriozitetin dhe formalitetin që e ka. Kjo ka të bëjë me trajtimin e temës brenda afateve që është votuar Komisioni në kuvend. Ne po hyjmë edhe në një sezon jo të lehtë për sektorin e energjisë, kështu që e kemi përfunduar sesionin e kaluar me debate të ashpra e me ndërprerje arbitrare të takimeve nga ana jonë”, theksoi ajo.

Edhe deputeti Selmanaj është pajtuar që të ndalen tensionet nga deputetët në komision.

Pajtohem plotësisht me deputeten Kusari-Lila që të kemi kujdes dhe të kufizohemi në mandatin tonë që e kemi. Nuk do të ishte mirë të kemi debate, sepse edhe pengon punën e komisionit dhe arritjen e qëllimit për çka është themeluar”, tha ai.

Në këtë komision hetimor deri tash intervistën e ka përfunduar vetëm ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Exit mobile version