UBT News

​PZAP hedh poshtë ankesën e Vetëvendosjes e Germinit për votat e diasporës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe organizatës Germin lidhur me verifikimin e aplikacioneve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.

Në një postim në Facebook nga ana e PZAP-it bëhet e ditur se vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur më 13 janar 2021.

“Hedhen të palejuara apelet Anr.1/2021 i datës 12.01.2021, i ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje dhe Anr.2/2021 i datës 12.01.2021, i ushtruar nga Organizata joqeveritare “Germin”, kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me nr. 42-2021 i datës 11.01.2021. që ka të bëjë me Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosove”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Vendimi i KQZ-së thotë se pas regjistrimit të votuesve nga diaspora, ata do të thirren në telefon, por nëse nuk lajmërohen nuk do të lejohen të votojnë.

Ndryshe, aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë vendit ka filluar më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00.

Exit mobile version