Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, i cili do të ndodhë vitin e ardhshëm, do të bëhet përmes grumbullimit elektronik e jo përmes plotësimit të formularëve, ndërsa pyetësori për këtë proces ndodhet në fazën përfundimtare dhe është më i zgjeruar për 12% krahasuar me pyetësorin e regjistrimit të vitit 2011.
Kështu u tha në diskutimin e parë publik të organizuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me temën “Regjistrimi i popullsisë – Nevojë dhe domosdoshmëri për zhvillim”.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi u shpreh se regjistrimi i popullsisë është një komponentë kyçe për ndërtimin e politikave mbi bazën e të dhënave.
Duke folur për migrimin, Gashi tha se me këtë dukuri nuk po ballafaqohet vetëm Kosova, por që detyrës e institucioneve është të ndërtohen politika të shëndosha.
“Në përgjithësi regjistrimi është i rëndësishëm për neve sidomos në aspektin e punës që unë bëjë dhe një prej komponentëve kryesore që mbuloj është diaspora. Është e rëndësishme të kuptohet ky trendin e migrimit në kuadër të rrugëtimit tonë, migrimi nuk është një problem që ballafaqohet vetëm Kosova, tërë bota është duke u ballafaquar me migrimin por migrimi është një e drejtë për rrugëtim për çdo qytetar. E jona është të ndërtojmë politika të shëndosha që njerëzit të qëndrojnë në vend, por ka shumë faktorë shtytës që e bëjnë qytetarin me lëvizë jashtë vendi”, u shpreh ajo.
Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati u shpreh se regjistrimi i popullsisë do të bëhet në tri nivele, dhe mënyra e grumbullimit do të bëhet sipas tij në mënyrë elektrike. Bazuar në këtë, Kastrati përmendi si sfidë sigurimin e tabletëve.
Drejtori i ASK-së tha se tashmë janë në fazën përfundimtare të pyetësorit i cili theksoi se është rritur për 12%.
“Te sfidat është sigurimi në kohë i disa pjesëve dhe aktivitete dhe tabletëve do të jetë metoda kapi i grumbullimi elektronik, sigurimi i pasjeve në kohë… Ka një rritje të pyetjeve edhe nën-pyetjeve sesa në vitin 2011 kjo është një trysni si për Agjencionin por edhe për ekonomitë familjare diku rreth 12% është rritur pyetësori, është gati jashtë kornizës së rekomanduar dhe kemi prapë diskutim dhe presion për të rritur pyetjet… Ne jemi në fazën përfundimtare të finalizimit të pyetësorit në bazë të ligjit të aprovuar në lexim të dytë ka kaluar, 6 muaj para datës së regjistrimit në terren duhet me u finalizua me qenë i gatshëm… Do ta kemi një fushatë intensive, do t’i përdorim të gjitha instrumentet, sidomos të rrjeteve sociale dhe besoj që çdo individ dhe ekonomi familjare do të ketë informacionin e duhur… Regjistrimi do t’i ketë tri njësi të regjistrimit: janë banesat apo shtëpitë që janë shtuar shumë pyetje të reja me interes nacional për Kosovën… Njësia e dytë që do të regjistrohen janë ekonomitë familjare sa është ekonomia familjare, sa familje, si jetojnë dhe raporti mes tyre, dhe e treta është individi”, theksoi Kastrati.
Ndërsa udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani duke e konsideruar si vendim të rëndësishëm regjistrimin e popullsisë, theksoi se të dhënat ndihmojnë në planifikim dhe zhvillim të vendit.
Mujko-Nimani po ashtu deklaroi se tashmë kur të rinjtë po ikin nga Kosova, shteti duhet të fillojë të mendojë për modifikim të politikave për t’u ballafaquar me të ardhmen.
“Mendoj se është koha e duhur që edhe Kosova të fillojë të mendojë në bazë të të dhënave që ka dhe ndryshimet që po ndodhin për politikat e popullsisë dhe më konkrete se çka duhet të ndryshojë në këto politika në mënyrë që të shikohet situata që po na pret që të rinjtë po na ikin në njërën anë prej vendit ose po planifikojnë të shkojnë, në anën tjetër kemi jetëgjatësinë më të gjatë në përgjithësi në botë, por edhe në Kosovë dhe si duhet vetë shteti dhe politikat e shtetit të modifikohen në mënyrë që të ballafaqohet dhe të gjendet zgjidhje me situatën të cilën do ta kemi në të ardhmen e afërt”, u shpreh ajo.
Ndërsa, profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Mimoza Dushi theksoi se regjistrimi i popullsisë si proces iu ofron të dhënave politikbërësve për planifikim për zhvillim.
Dushi u shpreh se regjistrimi i popullsisë që do të ndodh në vitin e ardhshëm do të bëhet me popullsinë rezidente, dhe mënyra e regjistrimit do të bëhet përmes pajisjeve të mençura.
Profesoresha derisa renditi disa nga sfidat e regjistrimit të popullsisë, thekoi se ofrimi i të dhënave për procesin e regjistrimit është obligativ.
“Një ndër fushat që e shoh edhe pak sfiduese është fushata e sensibilizimit apo njoftimit të popullsisë në lidhje me regjistrimin duhet fillimisht që të gjithë qytetarët të njoftohen me të dhëna të cilat kërkohen, me rëndësinë e të dhënave dhe me nivelin e konfidencialitetit të të dhënave… Duhet ta kuptojmë që regjistrimi është obligim qytetar edhe që secili prej nesh e kemi të obliguar dhe të detyruar të japim të dhëna tona… Për herën e parë regjistrimi i popullsisë do të kërkojë edhe numrin e letërnjoftimit e cila do të jetë sfiduese për qytetarët që kanë me hezituar me dhënë regjistrimin dhe kanë për të ndikuar në krijimin e të dhënave jo të sakta, po paragjykoj por krijon hezitim… Problem munden me qenë siç ka qenë edhe në të kaluarën përfshirja e të gjitha komuniteteve në Kosovës, edhe ata duhet me pas të qartë popullsinë rezidente”, tha ajo.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ishte planifikuar të ndodhte në vitin 2021, mirëpo për shkak të ballafaqimit me COVID-19 regjistrimi u shtye për vitin e ardhshëm.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që regjistrimi i popullsisë në Kosovë të fillojë më 1 shtator të vitit 2023 me kohëzgjatje deri më 16 tetor 2023.