UBT News

​Pushtimi rus rrezikon të zhvendosë mbi 7 milionë ukrainas, thotë komisionari i krizës në BE

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës rrezikon të zhvendosë mbi shtatë milionë njerëz, deklaroi sot komisionari i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiq.

Ai në një konferencë për media pas takimit të ministrave të brendshëm të BE-së, tha se janë dëshmitarë të asaj që mund të shndërrohet në krizën më të madhe humanitare në Evropë në vitet e fundit.

“Aktualisht, numri i pritshëm i ukrainasve të zhvendosur është mbi shtatë milionë njerëz”, tha ai, por paralajmëroi se po jepte vetëm “vlerësime të përafërta” nga OKB sepse luftimet penguan numërimin e saktë.

Një zyrtar i Komisionit Evropian më vonë sqaroi se Lenarçiq po jepte “vlerësime në rast se agresioni vazhdon”, bazuar në informacionin e OKB-së.

Lenarçiq tha se sipas OKB-së, nëse lufta vazhdon, “do të ketë rreth 18 milionë ukrainas që do të preken në aspektin humanitar, qoftë në Ukrainë, qoftë në vendet fqinje”.

Lenarçiq tha se “shifrat janë të mëdha dhe ne do të duhet të përgatitemi për këtë lloj emergjence, e cila është e përmasave historike”.

Exit mobile version