Punonjësit shëndetësorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë 15 minutat e pauzës sot i kanë shfrytëzuar për protestë në shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave për muajin gusht.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të QKMF-së në Prishtinë, Sherif Maloku tha se nuk e dinë arsyen se pse nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit gusht.
“Sot arsyeja jonë e vetme (që po protestojmë) është mosekzekutimi i pagave, indinjata, revolta e cila është krijuar për mosekzekutimin e pagave… Ne dje tërë ditën jemi munduar ta gjejmë fajtorin apo arsyen pse nuk janë ekzekutuar nuk kemi marrë përgjigje të saktë. Ministria e Financave e hedh topin tek komuna, komuna tek Ministria e Financave. Ne thjesht kemi mbet pa paga. Ju e dini në çfarë gjendje janë, revolta është e jashtëzakonshme… 15 minuta është një protestë simbolike e cila duam ta sensibilizojmë dhe trasojmë pakënaqësitë tona dhe indinjatën tonë”, u shpreh Maloku.
Kryesindikalisti i QKMF-së në Prishtinë veprimet e qeverisë për mos-pagesë i konsideron të papërgjegjshme dhe luajtje me dinjitetin e tyre. Ai thotë se varësisht prej situatës edhe do të veprojnë, ndërsa theksoi se nuk i janë bashkuar grevës së BSPK-së.
“Ne i konsiderojmë si papërgjegjësi të madhe dhe thjesht janë duke luajtur me dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë, ju e dini në çfarë gjendje keni punuar në pandemi, çfarë kontributi kemi dhënë, kurse sot luajnë me këto paga sa të vogla që janë prapë luajnë me dinjitetin tonë me të vërtetë kjo është e patolerueshme… Varësisht nga situata që do të zhvillohet ne si Sindikatë do të reagojmë komfor mjeteve tona që i kemi… Puna është duke u bërë, ne kemi dal në pauzë i sakrifikojmë minutat tona të pauzës vetëm për të mos ndërprerë punën”, theksoi ai.
Lidhur me Ligjin e ri të pagave që tashmë pritet të dal në diskutim publik, Maloku u shpreh se nuk është për tu hedhur poshtë, por ka vend për kritika.
Kurse Leonora Shala, asistente në Qendrën e Trajnimit tha se mospagesa e pagës së tyre ua ka vështirësuar jetën sidomos tashmë kur është shtatori dhe ka më shumë shpenzime për shumë familje.
“Ne edhe kështu nuk kemi qenë në protestë, ne kemi punuar dhe në fund mos të na realizohen pagat kjo është shumë e padrejtë për stafin mjekësor edhe infermierët dhe krejt stafin mbështetës… Shumë është e vështirë, është shtatori duhet të mendojnë që janë pagesat, është kredia, ka shumë prindër që çojnë fëmijët në shkollë, duhet me i mendu të gjitha harxhimet e 1 shtatorit që krejt e dimë se kur shkojnë fëmijët në shkollë se si duhet me u përgatit për një fëmijë, e lëre 1 muaj me punu dhe në fund mos me u realizu paga, është shumë e vështirë”, theksoi Shala.
Nga fundi i muajit gusht punëtorët e administratës publike tashmë edhe mësimdhënësit janë në grevë. Krahas Ligjit të Pagave ata po kërkojnë edhe 100 euro deri në hyrje të fuqi të këtij ligji.