Punëtorët e kompanisë rajonale për mbeturina “Pastrimi” kanë protestuar sot (e mërkurë) para selisë së kompanisë duke kërkuar rritje pagash, të shujtave dhe përmirësim të kushteve të punës.
Kryetari i sindikatës, Florim Cakiqi tha se me pagat aktuale është vështirësuar shumë jeta e punëtorëve të “Pastrimit”, marrë parasysh inflacionin.
“Duke marrë parasysh gjendjen financiare të punëtorëve dhe kushtet e vështira e kemi bërë një protestë paqësore dhe kemi kërkesa prej punëtorëve për rritjen e pagave, rritjen e shujtës, nivelizimin e pagave dhe kushtet e punëtorëve”, tha ai.
Safet Berisha, përfaqësues i mekanikës, tha se pagat për herë të fundit iu janë rritur para 5 vitesh.
“Kemi probleme edhe nëpër pika të grumbullimit të bërllokut sepse kur nuk e ke kamionë nuk mundesh me heq as bërllok qysh duhet… 330 euro punëtorë fizikë, shoferë 345 dhe mekanika 345 (janë pagat). Para pesë vjetëve na ka rritë rrogën 20 euro, që pesë vjet nuk e ka rritë rrogën e as shujtën, që pesë vjet jemi qysh jemi sot… Qysh nuk është vështirë kur vjen njeri në sabah në punë e fëmijët t’i lypin 50 centë e ju nuk keni me ju jap fëmijëve 50 centë”, ka thënë ai.
Ndonëse ka dalë për të protestuar, Rrahman Hetemi thotë se nuk shpreson të ketë përmirësim të gjendjes.
“Për besë , për nja 26 vite jam këtu, s’pres kurrgjë. Sikur ma përpara njëjtë… Para një viti kam pasur aksident, këta e din edhe mediat. Me 28 janar, edhe tha përfaqësuesi jone i sindikatës, gjoja e kemi sigurimin, i kemi kushtet. Unë kam qëndru 10 ditë në spital, dhe i kam marrë prej sigurimit tonë, firma që e ka bë, 134 euro, a shpenzime i kam afër 1000 euro që i kam bë në spital. Sot ankoj, dhe më ka rekomanduar mjeku ta bëj rezonancën… Nuk kam mundur si me 130 euro a këta më thonë kemi siguri e sigurimi nuk përgjigjet”, tha ai.