Derisa në Kosovë është mbyllur Lotaria e Kosovës, në territorin tonë është duke funksionuar Lotaria e Serbisë.
Kjo lotari e shtetit fqinjë që operon ilegalisht, po kundërshtohet nga punëtorët e Lotarisë së Kosovës, të cilët sot protestuan para Qeverisë së Kosovës me kërkesën për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe kthimin në vendet e punës.
Kryetari i Sindikatës së Lotarisë së Kosovës Shkumbin Goçi në këtë protestë theksoi se gjendja e punëtorëve të lotarisë është e rëndë dhe fajësoi Qeverinë Kurti se nuk po përfill kërkesat e Lotarisë.
Po ashtu Goçit po i pengon edhe më shumë lejim i operimit të Lotarisë nga Serbia në territorin e Kosovës.
“Një punëtorë yni i Mitrovicës na dha këtë informacion që në Mitrovicën e veriut funksionon Lotaria e Serbisë, që këtë informatë e kemi pasur edhe më herët. Gjithashtu Lotaria e Serbisë funksionon edhe në Graçanicë dhe në krejt komunat me shumicë serbe. Kështu që Lotaria e Serbisë ushtron veprimtarinë në territor të Kosovës, kurse Qeveria jonë neve na mbyll dhe s’merret me neve hiç. Pra, Lotarinë e Kosovës e mbyllë në territor të Kosovës, kurse Lotaria e Serbisë vepron në territorin e Kosovës. S’kemi qysh me përcjell këtë informacion institucioneve kur s’po pranojnë që katër muaj as me u takua qeveria e re. Sa i përket qeverive të kaluara me u bërë i sinqertë kur kemi dalë në protesta dikush prej tyre ka dalë na ka pranua. Ndërsa, që katër muaj kjo qeveri as nuk na pranon, as nuk merr kurrë farë përgjegjësie. Zhgënjim total”, theksoi Goçi.
Përfaqësuesja e punëtorëve Ibadete Hasani Berisha tha se punëtorët e Lotarisë së Kosovës gjenden në një situatë të rënduar, pasi sipas saj tash e një vit nuk kanë marrë paga.
Hasani-Berisha tha se po ashtu se qeveria e Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët, mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur.
“Edhe sot protestojmë për të drejtat tona, për realizimin e qëllimeve tona, për miratimin e Ligjit për pagat. Qe dy vjet Lotaria është e pezulluar në atë kur janë pezulluar të gjitha lojërat e fatit pa përjashtuar edhe Lotarinë e Kosovës që është legale dhe asnjë hap deri më sot nuk është ndërmarrë. Premtime kemi pasur herë pas herë, por nuk është marr asnjë hap për me vepruar megjithëse shumë kanë premtuar. Kështu që kemi dal sot dhe do të dalim deri në miratimin Ligjit[…]Kemi mbet 65 deri 67, ky është numri. Qe një vit s’kemi marr paga as asgjë. As pjesë e pakos së rimëkëmbjes”, theksoi ajo.
Organizatorët e protestës paralajmëruan se do të vazhdohet me protesta edhe gjatë ditëve të në vijim deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.