Qindra punëtorë të KEK-ut protestuan të enjten, duke kërkuar rritje të pagave. Para zyrave qendrore të KEK-ut në Prishtinë, ata kërcënuan menaxhmentin aktual se në rast se nuk përmbushin kërkesat e tyre do të hyjnë në grevë, duke lënë siç thanë, Kosovën në terr.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në KEK, Nexhat Llumnica tha se krahas rritjes së pagës duhet të paguhet edhe rrezikshmëria në punë, shujta e ushqimit dhe pagesa për punën në vikend, sipas Ligjit të punës.
“Sot jemi këtu sepse kemi kërkuar që 1 vit ngritjen e pagave. Ne si përfaqësues sindikal në mënyrë të shkruar i kemi kryer detyrat tona, janë shterë mundësitë e dialogimit. Nuk kemi dal për dëshirë këtu, e di që ju kemi vonuar pak, e di që keni bërë presion shumë më herët tek ne që me bë këtë protestë. Por, të tregojmë sinqerisht, kemi dashur të dalim mirë dhe t’i shterim gjitha mënyrat e dialogimit. Premtimi i drejtorit menaxhues për shujtën e ushqimit ka qenë më 22 shtator që do të paguhet shujta nëse nuk hapen restorantet, ajo nuk ndodhi. Premtimi i tij prapë ka qenë më 22 dhjetor që nuk po mundemi tash se mos po vonohet paga dhe iu paguajmë në janar. Prapë ne besuam, por ja që nuk doli kjo. Punëtorët e KEK-ut kanë punë të rëndë, por ushqim të lehtë. Ngritja e pagave duhet të jetë e domosdoshme për kohën, për arsyen se ne kemi arritur të tejkalojmë prodhimin, të eksportojmë 10 për qind të prodhimit të energjisë elektrike, kemi arritur të bëjmë Kosovën në dritë, punëtorët janë ata që e kanë arritur, mirëpo menaxhmenti po i injoron punëtorët”, tha ai.
Më kërcënues ndaj menaxhmentit të KEK-ut për rritje të pagave ishte përfaqësuesi tjetër i sindikatës, Xhelal Jashari. Ai tha se rritja e pagave nuk ka alternativë në KEK, pasi në të kundërtën do të hyjnë në grevë.
“Nga këtu i bëjmë apel këtij menaxhimet të dështuar ose të ngritë pagën ose ne do të hymë në grevë dhe Kosova do të jetë në terr. Nuk ka alternativë tjetër, ne jemi lodhur. Kjo djersë ky mund që derdhet në KEK nuk paguhet, shkelen shumë të drejta prandaj kështu si jemi të bashkuar, ky menaxhimet nuk ka si na gjunjëzoj, përkundrazi do të forcojë deri në realizimin e kërkesës sonë”, theksoi ai.
Përkrahje kërkesave të punëtorëve të KEK-ut iu dha edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.
“Ne kemi dalë të kërkojmë të drejtën tonë e cila na takon. Ju që e rrezikoni jetën, shëndetin e juaj që ne të jemi këtu, andaj edhe menaxhmenti duhet të jetë transparent dhe t’i plotësojë kërkesat e juaja që janë shumë të drejta. Ne po kërkojmë një pagë dinjitoze. Paga dinjitoze do të thotë që ne të blejmë ushqimin sot sikur e kemi ble dje dhe ditët e tjera. Ky menaxhment duhet të kuptojë dhe është mirë që ta bëjë këtë sa më shpejtë. Ne këtu jemi partner dhe nuk jemi kundërshtar të këtij menaxhmenti”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryetar i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi tha se kërkesat për rritje pagash në KEK janë legjitime.
“Sot jemi me ju në mbështetje e kërkesave të juaja të drejta dhe legjitime. Ju jeni ata që me punën tuaj, sakrificën e vazhdueshme Kosovën e ndriçoni atëherë kur tërë bota paraqet që kemi krizë energjetike…Ju meritoni më shumë sesa rritje të pagave, kurse sa i përket çështjes së kushteve të punës kjo është një mizerje, shkelje e të drejtave të njeriut, pasi ju jeni ata të cilët në vazhdimësi jeni shembulli më i mirë se si duhet atdheu”, theksoi Gashi.
Punëtorët e KEK-ut marshuan edhe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku potencuan nevojën e pranimit edhe të 2 mijë punëtorëve të rinj në KEK.