UBT News

​Punëtorët e “Ferronikelit” paralajmërojnë protesta edhe më të ashpra

Rreth një mijë punëtorë kanë mbetur pa punë, pasi kompania “Ferronikeli” ndërpreu punimet për shkak të krizës energjetike. Punëtorët po kërkojnë mbështetje nga qeveria, meqë thonë se kanë mbetur në rrugë. Sot ata kanë protestuar para objektit të qeverisë, duke kërkuar që të bëhet një zgjidhje.

Edhe pas katër shkresave ndaj qeverisë, nuk kanë marrë përgjigje. Në rast se nuk gjejnë mbështetje nga institucionet, ata kanë paralajmëruar protesta jo paqësore.

“Ka krizë energjetike, por ka edhe zgjidhje”, “Qeveri reflekto, dëgjo kërkesat tona”, “Nuk duam të jemi në rrugë, por në fabrikë”, kanë qenë disa nga thirrjet e punëtorëve të “Ferronikelit” në Drenas.

Përfaqësuesi i punëtorëve në këtë protestë, Rifat Latifi u shpreh se ndërprerja e punës ka shpërfaqur edhe shumë probleme të tjera.

“Pas krizës energjetike globale ku çmimi ka shënuar ngritje katërfish për një kohë relativisht të shkurtër dhe trend të rritjes në vijimësi me shpejtësi të ngritjes të çmimit, pa limit kohe, detyroi dhunshëm ndërprerjen e prodhimit sepse kostoja ishte e papërballueshme. Kjo situatë ndërpreu aktivitetin punues të afro një mijë punëtorëve të rregullt si dhe një mijë punëtorëve kontraktues që në total dy mijë persona. Dy mijë familje duke rrezikuar standardin ekzistues të tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, pas ndërprerjes së punës nuk kanë marrë pagat e rregullta, janë dëmtuar pajisjet, si dhe ka ndikuar në humbjen e tregut.

“Deri më tani qeverisë ju kemi drejtuar katër herë me shkresa për mbështetje. Duke filluar nga data 8, 9 deri më 19 tetori 2021. Për hulumtimin e mundësive për tejkalimin e krizës. Por jemi mbetur pa përgjigje. Këto përpjekje gjatë tërë zhvillimeve të deritanishme janë manifestuar në formë të lutjeve për tejkalimin e situatës. Fatkeqësisht, deri tani nuk janë trajtuar nga ana e qeverisë. Ndërkohë që impakti i rrezikimit të standardeve të punëtorëve që kanë siguruar të ardhura për familjet e tyre ka reflektuar rënie nga shkaku që paga e muajit tetor do të jetë 50 për qind më e ulët. Ndërsa, për muajt tjerë në vijim mund të mbetemi edhe pa kompensimin e 50 për qind”, ka thënë ai.

Kryetari i Sindikatës, Fehmi Nika ka thënë se problemi më i madh është çështja e punëtorëve, të cilët nuk kanë të ardhura.

“Sa i përket ngritjes së çmimit, kjo ka filluar prej vitit të ri e këndej. Kemi mbijetuar derisa ka arritur në këtë limit. 130 euro kur ka qenë megavat-i për energji kemi mbijetuar, por kur ka shkuar 160 për megavat, kurse ka shkuar edhe deri në 270 euro dhe nuk kemi pasur mundësi të operojmë, është detyruar të ndalet prodhimi e punëtorët të shkojnë në shtëpi. Punëtorët nuk kanë të ardhura për të mbijetuar, janë në kredi. Kështu që menaxhmenti nuk ka siguruar më veç për tetor. Kurse për muajt tjerë nuk kemi siguri që a do të paguhemi apo jo”, ka thënë Nika.

Ai madje ka paralajmëruar edhe radikalizim të masave ditët në vazhdim nëse nuk gjendet një zgjidhje.

“Ne si sindikatë edhe si klasë punëtore i kemi mekanizmat tonë sindikalë, të cilët do t’i ndërmarrim në vijimësi… Mekanizmat sindikalë janë presione të ndryshme edhe deri te radikalizimi i punëtorëve. Sepse nuk mund të qëndrojnë kështu të qetë”, ka deklaruar ai.

Punëtorët kanë ftuar kryeministrin Albin Kurti për një takim para objektit të qeverisë, por asnjë nga përfaqësuesit e ekzekutivit nuk është takuar me ta.

“O kryeministër, hajde na jep përgjigje, o kryeministër! Ne nuk jemi të privatizuar, ne jemi qytetarët Republikës së Kosovës që mbajmë familjet tona”, ka thënë Rifat Latifi.

Javë më parë për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike në tregjet globale, “Ferronikeli” ka ndërprerë punën e tij përkohësisht.

Exit mobile version