Edhe pse jemi mësuar të hamë banane në mëngjes, për një meze të lehtë apo në situata kur vërejmë se kemi nevojë për sheqer, është e dobishme t’i hamë ato edhe në mbrëmje.
Bananet mund të ndihmojnë me pagjumësinë, sipas praktikuesit alternativ të shëndetit, Alan Mandell. Ai këshillon që në rast të pagjumësisë, të hani një banane gjysmë ore para se të flini, në mënyrë që të zgjoheni të freskët.
Ky frut është plot me vitaminë B6, e cila vepron duke shndërruar aminoacidin triptofan, i rëndësishëm për gjumë të mirë dhe humor, në serotonin, një neurotransmetues që kontrollon sekretimin e melatoninës në gjëndrën pineale në tru.
Melatonina, e njohur si hormoni i gjumit, kontrollon orën tonë të brendshme dhe për shkak të sekretimit të shtuar të saj, ne ndihemi të përgjumur në mbrëmje.