Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli fitoren e partisë së tij për zgjedhjet e mbajtura të dielën, ku PS mori shumicën dërrmuese të bashkive.
Bashkë me strategun e fushatës së tij elektorale Endri Fuga, 24-orë pasiqë Partia Socialiste korri një tjetër rekord elektoral në zgjedhjet lokale të 14 majit, Rama tha se do të angazhohen si asnjëherë më parë për të qëndruar përballë sfidës së marrë nga besimi i madh i qytetarëve.
“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar dhe unë vet ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo… Tanimë që shqiptarët i zgjodhën ata që dëshironin, ne do të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata, jo vetëm në nivelin vendor, por edhe në nivelin e qeverisjes qendrore”, tha Rama.
Sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, kryeministri shqiptar fajësoi KQZ-në për vonesa, derisa përmendi edhe dështimin e pajisjeve elektronike.
“Zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë në asnjë aspekt, përveç dështimit spektakolar të KQZ-së, për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë që në orët e mëngjesit ishin vënë në radhë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese… Vërtetë është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm. Ne nuk do ta lëmë me kaq, aq më tepër kur pamë skena të tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh. Sepse asnjë arkë nuk mund të hidhet ashtu”, tha ai.
Ai paralajmëroi një tur falënderimesh në të gjithë Shqipërinë të cilin tha se do ta nisë nga Shkodra.