Dhjetëra qytetarë janë përgjigjur në thirrjen për protestë tek ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pavarësisht thirrjeve të institucioneve të Kosovës për të mos e bërë këtë.
Thirrja është bërë përmes rrjeteve sociale dhe Policia e Kosovës ka deklaruar se e njëjta po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta.
Personat e tubuar kanë kënduar këngë si “besa besë”, “jo nuk ndahet Mitrovica”, si dhe kanë brohoritur “UÇK”.
Kadri Batusha, i cili kishte ardhur nga Prishtina në Mitrovicë, ka thënë se kanë dalur për të treguar mbështetje për Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.
“Protesta jonë është qëllimi që kanceri në trup tonë që duan të na instalojnë me u bo Asociacioni, dhe njëkohësisht sa më afër policëve dhe miqëve tanë të KFO-it këtu, në rast nevoje edhe t’i përgjigjemi atdheut. Unë çuditem si munden të tolerojnë që mbi trupin e njomë të këtij shteti që 15 vjet, me shekuj brez pas brezi duke paguar çmimin e lirë, ata që na vranë dje dhe sot u mundësohet të na vrajnë edhe sot”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta dijë që e ka mbështetjen e qytetarëve.
“Kryeministri Kurti ta dijë se ne na ka, na ka jo vetëm ent ë gjallëve, por edhe që kanë vdekur në vatan, kudo këtu në çdo cep të banesave është Ademi, Zahiri, edhe Haradinajt. Njëkohësisht shfrytëzoj rastin ‘Ramush kthehu në rrugë të Zotit, unë kam besim te ti, atdheut ka nevojë për ty”, ka shtuar ai.
Tubimi ka zgjatur vetëm disa minuta dhe protestuesit janë shpërndarë të qetë.
Para mbledhjes së qytetarëve, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë thirrje që mos u përgjigjen thirrjeve për protestë në Mitrovicë. Ai ka deklaruar se këto thirrje janë të dyshimta nga organizime anonime.
Sveçla ka thënë se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe marshim drejt veriut, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës.
“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës. Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, ka shkruar ministri i Brendshëm.