UBT News

​Protestë në Prishtinë, kërkohen të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar ka protestuar me kërkesën për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Stop pasivizimit të adresave të shqiptarëve”, ishte njëra nga thirrjet e protestuesve të cilët marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Ata kërkuan që të ndërpritet menjëherë pasivizimi i adresave, të anulohen të gjitha vendimet e lëshuara si dhe një nga shtetet e bashkësisë evropiane të merr në mbështetje të gjithë banorët shqiptarë në atë pjesë.

Kryetari i Ballit Demokrat Shqiptar, Nikollë Perkaj, tha se Serbia po përdorë presion administrativ me qëllim të spastrimit etnik në heshtje.

“Në Kosovën Lindore po përdor presionin administrativ, duke i bërë in-ekzistent, duke i shlyer adresat e banimit dhe duke i hequr të drejtat e pajisjes me kartela të identifikimit, duke i shlyer nga pronësia e patundshme dhe një mori marifetesh që vetëm serbët i bien ndërmend t’i bëjë kur jemi ne shqiptarët në pyetje. Pra, këtu po implementon një spastrim etnik në heshtje. Serbia po kërkon të drejtat për serbët që jetojnë në Kosovë edhe pse kanë të drejta më shumë se edhe ne vet shqiptarët. Kurse shqiptarëve në trojet e veta që kanë mbetur nën Serbi nuk jap asnjë të drejtë, vetëm të drejtën e dëbimit nga shtëpitë e veta. Ne sot këtu kemi dalë që njëzëri të fuqishëm t’i themi Serbisë, që popullata shqiptare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë e Sangjak tu njihet e drejta e vet që u garanton Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut”, deklaroi ai.

Për këtë situatë ai kritikoi Qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, për çka tha se nuk janë të bashkuar.

“Qeveritë tona, si ajo e Shqipërisë, si kjo e jona që nga pavarësia e deri më sot i kanë dhënë hapësirë me sjelljet jo të mira, jo të bashkuar i kanë dhënë hapësirë edhe kurajo Serbisë që të sulmojë në mënyrë politike, të bën një agresion ndaj nesh, ndaj shtetit tonë. Pikërisht se qeveritë tona të gjitha që nga e para deri tek e fundit, nuk janë t koordinuara, nuk janë në një zë”, shtoi ai.

Edhe aktivisti nga Lugina e Preshevës, Rexhep Abazi u shpreh se Medvegja është pjesa më e rrezikuar dhe goditur me masat administrative, të quajtura pasivizim i adresave.

“E para, Republika e Serbisë duhet të ndërprejë pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit menjëherë. E dytë, të anulojë të gjitha vendimet e lëshuara për pasivizimin e adresave të banorëve shqiptar. E treta, njëri nga shtetet e bashkësisë evropiane të merr në mbështetje të gjithë banorët shqiptar me adresat e pasivizuara, duke u lëshuar dokumente të përkohshme të identitetit të udhëtimit dhe të tjera, që tu mundësohet e drejta e lëvizjes së lirë në Evropë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat Shqiptar në Malishevë, Cenë Desku, kërkoi që të krijohet një asociacion edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Shqiptarët atje nuk kanë të drejta e liri, sikurse kanë serbët në Kosovë, në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Prandaj, kërkojmë të drejta të barabarta në mënyrë reciproke. Dhe nëse krijohet një asociacion për serbët në Kosovë, kërkojmë që të krijohet një asociacion edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Kjo është e drejtë ligjore dhe me norma ndërkombëtare”, përfundoi ai.

Exit mobile version