UBT News

​Protestë në Policinë e Kosovës, të pakënaqur me pagat

Sot (e martë), në Policinë e Kosovës do të protestojnë Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ për të shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficientëve sipas pozitave të tyre. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri i cili theksoi se kjo protestë do të ndikojë edhe në punën e Policisë së Kosovës, sipas të cilit nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe.

Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj prej kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për të njëjtit punëtorë, por që, siç tha ai, ende nuk ka asgjë në këtë drejtim. Ai thotë se për këtë çështje ka dërguar shkresë për takim edhe te Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, porse nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Sipas tij, numri i punëtorëve që do të protestojnë është rreth 100.

Zeiqiri derisa tha se këtyre punëtorëve iu ka humbur durimi të presin më gjatë, shtoi se kategoritë e lartpërmendura kanë mbetur në kategorinë e koeficientit të një mirëmbajtësi. Ai në fund shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë.

Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik prej 105 euro.

Megjithatë, me 7 prill Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për paga.

Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunal të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera.

Exit mobile version