UBT News

​Propozimi i BE-së për veriun, Borrell: Zgjidhje e mirë për të dalë nga kriza

Bashkimi Evropian ka një propozim për të dalë nga kriza në veri të vendit, si pasojë e dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se propozimi, i cili fillimisht duhet të diskutohet, është një rrugëdalje e mirë për të dalë nga kjo situatë.

Në një prononcim për media para fillimit të takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, Borrell ka ftuar të dy palët, Kosovën dhe Serbinë, që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara për të cilat kanë rënë dakord shumë vite më parë.

“Kosova dhe Serbia më kanë mbajtur të zënë këtë fundjavë në Paris. U takova me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Jemi të pakënaqur me krizën e tanishme. Ne duhet ta trajtojmë modalitetin e krizës dhe t’i qasemi nga ana strukturore. Ne kemi paraqitur një propozim. Ky propozim duhet të diskutohet, është një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më duhet të ju them të dyja palëve, të përmbushin angazhimet e tyre, të respektojnë angazhimet, të zbatojnë marrëveshjet e kaluara, të cilat tashmë janë rënë dakord shumë vite më parë, dhe të fillohet me gjetjen e një zgjidhjeje”, ka thënë Borrell.

Punimet e Këshillit të Ministrave do të jenë të shtrira në dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se nuk do të pranojë asociacion njëetnik në Kosovë, ndërsa tha se zhvillimet e fundit nuk duhet të largojnë vëmendjen nga marrëveshja finale me njohje reciproke. Ai nuk ka dhënë shenja se mund të tërhiqet edhe nga vendimi për targat, shtyrja e zbatimit të të cilit i është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Situata në veri mori një tjetër drejtim pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës. 

Exit mobile version