Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës (PSRK) konfirmoi se më 1 prill ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Prokuroria Speciale njofton se raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe. Ndërkaq, më 8 prill rreth orës 15:30, ka pranuar raportin e përkthyer në gjuhë shqipe.
Prokuroria Speciale thotë se gjatë ditës raporti i ekspertizës në gjuhë frënge dhe gjuhë shqipe do t’iu dorëzohet familjes Dehari dhe përfaqësuesit ligjor të familjes.
“Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton: Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së përveç të atij, Astrit Dehari; si dhe: Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit”, thuhet në komunikatën për media të PSRK.
Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit, Prokuroria thotë se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të riekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.
“Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Gjithashtu, Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, përfundon komunikata.