Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkon paraburgim prej 30 ditësh ndaj katër të dyshuarve lidhur me aksionin e realizuar për fajde.
Në një komunikatë të kësaj prokurorie, bëhet e ditur është kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimi i masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj katër të pandehurve me inicialet B.M., A.H., B.K dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Detyrimi” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
“Të pandehurit, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartë cekura”, thuhet në njoftim.
Të mërkurën, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë zhvilluar aksion në Prishtinë dhe Podujevë, ku janë bastisur shtëpi e lokale nën dyshimin për fajde.