Rasti i shpërthimit të bombolës së gazit në Ferizaj, nga Prokuroria Themelore po konsiderohet “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Kjo prokurori është ende në fazën e hetimeve, në lidhje me rastin e shpërthimit të bombolës së gazit në një restorant në Ferizaj.
Muaj më parë, si shkak i këtij shpërthimi kishin mbetur të lënduar mbi 40 persona. Ndërkaq, një 20-vjeçare, pas dërgimit për trajtim në Turqi, nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve të marra.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Vjosa Baftiu nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se janë siguruar edhe incizimet nga vendi i ngjarjes.
“Ju njoftojmë se rasti në fjalë aktualisht është në fazën e hetimeve, ku janë duke u intervistuar pronarët dhe palët e dëmtuara nga ana e Policisë. Po ashtu, janë siguruar edhe incizimet nga vendi i ngjarjes dhe ky rast është cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Lidhur më veprimet e tjera nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj rreth këtij rasti, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në këtë përgjigje.
Shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj, i cili la të lënduar dhjetëra qytetarë ngriti shqetësimin për shkak të përdorimit të madh të tyre. Për këtë ishte thënë se problemi del të jetë mungesa e laboratorëve të gazit dhe kompanive që bëjnë certifikimin e bombolave të gazit e të cilat në Kosovë janë afër gjysmë shekulli të vjetra.