Në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbajtur konferenca mbi ecurinë e çështjes së Salih Mustafës, i akuzuar për krime të pretenduara të luftës. Aty nuk ishte i pranishëm Mustafa, por Prokuroria bëri të ditur se do të nxjerrë të gjitha materialet me prova deri më 15 shkurt, duke kërkuar që gjyqi të fillojë në muajin mars. Kjo ka gjetur kundërshtimin e mbrojtjes, që sipas avokatit të Mustafës, hetimet e tyre nuk mund të përfundojnë para muajit gusht.
Në seancën e sotme në Hagë, avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bonne tha se do t’i duhen dy muaj për të përfunduar intervistat me dëshmitarë, ndërsa në tërësi deklaroi se nuk mund të përfundojnë hetimet e mbrojtjes para muajit gusht.
“Do të ketë edhe dëshmitarë të tjerë për çështjen, fakti që përfshihen në aktakuzë. Nuk e parashikoj sa kohë do të na duhet, por vetëm për dëshmitarët që lidhen me alibinë më duhen rreth dy muaj, mendoj që brenda kësaj kohe do të mund t’i përfundojë. Ka edhe lloje të tjerë, dëshmitarë që parashikojmë t’i intervistojmë, mendoj se më herët thash që do të duhen gjashtë deri nëntë muaj, por tani them mbase përpara gushtit do t’i kemi përfunduar, kjo është koha sepse nuk bëhet fjalë vetëm për intervistimin e dëshmitarëve, por edhe paraqitjen e disa provave, raporte, konstatime, vëzhgime, që kemi lidhur me vendndodhje të ndryshme që duam t’i paraqesim”, tha avokati Von Bonne.
Por për Zyrën e Prokurorit të Specializuar kjo nuk është e pranueshme, meqë sipas tyre, gjyqi duhet të fillojë në muajin mars të këtij viti.
Sipas prokurorisë, zgjatja e hetimeve deri në muajin gusht mund të ndikojë negativisht në të drejtat e personit që është paditur, për një gjykim të shpejtë.
“Të përfundohet faza paraprake në shkurt dhe të vazhdohet me dorëzimin e dosjes paraprake sipas rregullës 95. Ne themi që do ta dorëzojmë këtë dosje më 15 shkurt dhe mendojmë që duhet të përpiqemi të fillojmë çështjen që në 15 mars 2021”, tha prokurori Cezarie Michalczuk.
Mbrojtja e ka kundërshtuar këtë, duke kërkuar kohë për të kryer hetimet.
“Nuk ka të drejtë prokuroria të parashtrojë argumente për punën tonë, ata kanë pasur vite për të bërë hetimet e tyre, ndërsa ne nuk jemi në gjendje në këto rrethana të paraqesim çështjen në këtë kohë kaq të shkurtër, lërëni mbrojtjen të bëjë punën si mbrojtje dhe prokuroria të bëjë punën e saj. Pres te kem një listë më të gjatë me dëshmitarë krahasuar me atë të prokurorisë, andaj na duhet kaq kohë”, tha mbrojtja.
Sipas tij, muaji gusht pritet të jetë koha kur mbrojtja do të mund t’i përfundojë hetimet.
Në seancën e sotme, Prokuroria ka bërë të ditur se do të shtojnë edhe një dëshmitar në këtë rast.
“Prokuroria do të shtojë edhe një dëshmitar në listën e saj, është një dëshmitar që është intervistuar nga prokuroria dhe tani po vlerësojmë provat e tij. Nëse ky shtohet në listë atëherë të gjitha materialet lidhur me të do t’i nxirren mbrojtjes deri më 15 shkurt”, është thënë në konferencën mbi ecurinë e çështjes së Mustafës.
Në po këtë seancë që është konferenca e katërt mbi ecurinë e çështjes së Mustafës, avokati ka ngritur edhe problemin e mungesës së përkthimit në disa prej materialeve të nxjerra nga Prokuroria.
Për të bërë të ditur specifikisht për çka bëhet fjalë, konferenca ka vijuar e mbyllur, për të vazhduar pastaj publikisht për të diskutuar rreth mbledhjes së provave dhe kohës së fillimit të gjyqit.
Salih Mustafa, në luftë i njohur komandant Cali, është i arrestuari i parë i Speciales nën akuzat e pretenduara për krime të luftës.