Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës i cili po akuzohet me pretendimin për krime lufte. Edhe dëshmitari i dytë është i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur për publikun.
Dëshmitari me kodin W04600 po përgjigjet në pyetjet e prokurorit lidhur me njësinë BIA dhe disa personave që thuhet të kenë qenë pjesë e saj, për të cilët dëshmitari ka thënë se i kujton në bazë të pseudonimeve.
Prokurori: Njësia BIA a ka qenë pjesë e Brigadës 153, a ishte pjesë e zinxhirit të komandës të Brigadës 153?
Dëshmitari: Jo.
Prokurori: A ka pasur njësi të brigadës 153 që ka qenë e varur tek njësia BIA ose e lidhur me njësinë BIA?
Dëshmitari: Jo nuk e di që ka pasur.
Ndër të tjera dëshmitari ka thënë se njësitë kanë bashkëpunuar me njëra tjetrën në operacione luftarake por sipas tij nuk ka pasur një komandë qendrore.
Prokurori: A kanë bashkëpunuar ndonjëherë me njëra tjetrën njësitë, për shembull në operacione luftarake?
Dëshmitari: Po kemi bashkëpunu.
Prokurori: Dhe kur ka ndodhur kjo gjë a ka pasur ndonjë komandë qendrore apo a ka pasur ndonjë lloj koordinimi, një njësi që ka bërë bashkëpunimin e atyre dy njësive?
Dëshmitari: Jo nuk besoj që ka pasur për arsye se forcat serbe kur kanë sulmuar, nuk ka pasur komandë, por jemi gjetë secili qysh kemi mujt për me u mbrojt. Komandë të veçantë nuk ka pasur as nga brigada, as nga BIA, as nga Zona Operative e Karadakut që ka vepruar në Zllashë, por forcat serbe kur kanë sulmuar ne kemi qenë të gatshëm gjithmonë edhe i kemi dalë për ballë ashtu qysh kemi mujt, komandën me ta jep kjo njësi apo ajo njësi nuk ka pasur.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se komandant “Cali” ka pasur një zëvendës, ndërsa është përgjigjur se nuk e di kush ka qenë eprori i Mustafës.
Prokurori: Kush ka qenë eprori i drejtpërdrejt i komandant “Calit”?
Dëshmitari Nuk e di.
Prokurori: Komandant “Cali” a ka pasur zëvendës?
Dëshmitari: Po.
Prokurori: Si e ka pasur emrin zëvendësi i komandant “Calit” në atë kohë?
Dëshmitari: Nuk ja di, por pseudonimin ja di, me pseudonim “Dardani”[…]Të them të vërtetën ata të gjithë kanë pasur pseudonime, kështu që një kohë e gjatë ka shkuar që ndoshta i kam harruar, jo ata por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime, jo vetëm njësia BIA por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime.
Prokurori: Po emri Nazif Musliu të kujton ndonjë gjë. Kështu e kishte emrin ky personi, ai kishte edhe pseudonim, por ky është emri i vërtetë, a të kujtohet si e ka pasur pseudonimin?
Dëshmitari: Me pseudonim “Tabuti”.
Tutje, prokurori ka përmendur Nazif Musliun e Bahri Gashin për të cilët pastaj dëshmitari ka thënë se kanë qenë pjesë e njësisë BIA, derisa për një person me pseudonimin “Bimi” ka thënë se nuk e di nëse ka qenë pjesë e njësisë.
Dëshmitari ka thënë se pjesëtarët e BIA-s kanë lëvizur me rroba civile dhe uniforma, por më shumë me këto të fundit, ndërsa ka shtuar se komandant “Cali” kur ishte në uniformë barte një kapelë të kuqe.
“Kur ka qenë me uniformë ka qenë herë me kapelë, herë pa kapelë, herë me uniformë herë pa uniformë, por megjithatë më shumë ka qenë me uniformë me një kapelë të kuqe”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa i akuzuari Salih Mustafa po merr pjesë në seancë përmes video-lidhjes.
Në pjesën e dytë të seancës do të vazhdohet me pyetjet e mbrojtëses së viktimave për dëshmitarin e mbrojtur.