Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka pranuar rreth 130 komente për Projektligjin për paga dhe atë për zyrtarët publikë dhe pasi t’i shqyrtojnë në detaje të gjitha komentet, projektligjet do të procedohen në Qeveri dhe Kuvend.
Zëvendësministri Bardhyl Dobra në një konferencë për medie tha se po punojnë që projektligjet të kenë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në mënyrë që të zbatohen në vitin 2023. Derisa theksoi se vlera e një koeficienti në Projektligjin për paga do të përcaktohet në buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Ne kemi pranuar relativisht një numër të madh të komenteve për këto dy ligje dhe jemi duke trajtuar me seriozitetin më të lartë në mënyrë që ligji të jetë sa më i mirë që është e mundur. Të gjitha komentet po shqyrtohen fjalë për fjalë, në rastin kur është e mundur të inkorporohen në ligje, këtë po e bëjmë, ndërsa në rastet e tjera po japim shpjegimet e nevojshme. Është e duhur dhe nevojshme që t’i trajtojmë me kujdes që ligji të jetë sa i mirë”, tha ai.
Sipas tij e rëndësishme është që tash të shqyrtohen në detaje gjitha komentet, ku disa prej tyre do të inkorporohen brenda projektligjeve, në mënyrë që të njëjtat të jenë të pakthyeshme në aspektin ligjor dhe kushtetues.
“Sa i përket buxhetimit dhe afateve kohore, e përmenda që jemi duke bërë të pamundurën që t’i përfundojmë shqyrtimin e komenteve në afatet sa më të shpejta. Por për shkak të rëndësisë së tyre dhe siç e dini kur herën e kaluar ligji kishte kaluar, ne kishim mbi 30 për qind të zyrtarëve që nuk e gjenin vetën në ato lista që nuk e dinin ku ishin të pozicionuar. Andaj për ne është me rëndësi që në këtë fazë t’i shqyrtojmë sa mirë komentet në mënyrë që projektligji të jetë i pakthyeshëm, të vazhdojë tutje dhe fillojë implementimi në vitin 2023”, shtoi Dobra.
Lidhur me kritikat se i njëjti mund të bie sërish nga Gjykata Kushtetuese, Dobra tha se ato nuk janë të mirëqena.
“Këto nuk vijnë nga vetë ministria. Çdo gjë që del nga institucione të tjera jashtë Qeverisë së Kosovës nuk duhet të merret si e mirëqenë. Vetëm MPB mund të flasë për këto projektligje, apo qeveria dhe ZKM”, tha ai.
Nga ana tjetër, Dobra tregoi edhe përcaktimin e koeficienteve në Projektligjin për paga.
“Vlerën e koeficientit kemi thënë se e caktojmë në Ligji për buxhetin në vitin 2023. Do të parashihet një kontigjencë për buxhetin 2023 për Projektligjin për paga… Koeficientet janë përcaktuara duke marrë parasysh disa kritere, është institucioni ku punoni, përgjegjësinë që e keni, sikurse edhe kualifikimet dhe ajo çka bëni. Mandej, koeficienti e përcakton vetëm pagën bazë. Andaj paga bazë nuk mundet të marrë parasysh përvojën. Janë çështje të tjera mandej i shtohen pagës bazë, këtë rast që është përvoja e punës”, theksoi ai.
Ai foli edhe për kategorinë e mjekëve, për të cilët theksoi se janë të kënaqur me vlerat e koeficientit të paraparë në Projektligjin për paga.
“Mjekët janë ndarë të kënaqur me propozimet që ne kemi bërë për vlerën e koeficientit. Janë marrë parasysh kërkesat e tyre dhe pse ne veçse i kemi plotësuar pa e thënë ata një gjë të tillë. Kemi shkuar edhe më tutje në lidhje me një shtesë për mjekët që punojnë vetëm në sektorin publik. Kjo ka të bëjë me gjithë ata mjekë që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik, të heqin dorë nga sektori privat. Kjo do të jetë si iniciativë që ata të punojnë vetëm në sektorin publik”, tha ai.
Në konferencë për medie, Dobra u shpreh kritik edhe ndaj ish-qeverive të kaluara lidhur me politizimin e administratës publike, si dhe vendimet për rritje pagash.