Nga sot, në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, do të qëndrojë profesori i njohur nga Australia, Pedy Dewan, i cili bashkë me ekipin vendas të klinikës do të operojnë 29 fëmijë me probleme të lindura kongjenitale. Operacionet do të nisin ditën e hënë dhe do të zgjasin 10 ditë pune.
Po ashtu, do të bëhen edhe rreth 25 konsultime për pacientë me anomali të ndryshme që janë operuar më parë.
Fëmijët do të kenë mundësi të trajtohen nga ana e ekspertit me renome ndërkombëtare, përderisa mjekët vendas do të kenë mundësi të marrin përvojat nga profesori Dewan, thuhet në komunikatë.