Komuna e Prishtinë sot ka prezantuar Planin e Fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës, për të cilin u tha se është tejet i nevojshëm për prishtinasit.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh se tashmë bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama kanë filluar diskutimet për këtë spital. Latifi tha se modernizimi i ShSKUK-së është tejet i nevojshëm për të ofruar kushte më të mira për trajtim të pacientëve, por edhe për stafin shëndetësor.
“Kujdesi në spitalin tonë është i mrekullueshëm, por infrastruktura në spitalin tanë ku shërohen pacientët, u punojnë ditë e natë punëtorë shëndetësor ka vend shumë të madh për rindërtim, ka vend shumë të madh për tu krijuar në fillim pacientëve por edhe personelit hapësirë dinjitoze ku bëhen puna e mrekullueshme e mjekëve dhe infermierëve tanë. Prandaj, modernizimi i gjithë SHSKUK-së dhe me këtë i gjithë QKUK me shtimin e një spitali tjetër qoftë ai spital universitar shkencor dhe hulumtues në nivel të Kosovës me u largua jashtë Prishtinës me fillua një spital jashtë qytetit këto janë disa çështje që ne po diskutojmë që nuk do të mbarojmë sot”, u shpreh Latifi.
Kurse, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se për banorët e Prishtinës ka qenë disfavor mungesa e një spitali të përgjithshëm. Rama theksoi nevojën për Spitalin e Përgjithshëm për Prishtinën.
“Spitali Qendror i kryeqytetit i Prishtinës siç e dini çdo qytet tjetër i madh i Kosovës kanë spitalet e veta, kryeqytetit ende i mungon spitali i kryeqytetit, e kemi QKUK që ofron shërbime edhe sekondare dhe terciare, pra qytetarët e kryeqytetit janë në disfavor me të tjerët për shkak të mungesës të një spitali për këtë arsye këtu jemi bërë bashkë dhe kemi pas edhe biseda të shumta dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirëfilltë me MSH-në dhe ministrin, Latifi rreth nevojës së spitalin për kryeqytetin.. Spitali për kryeqytetin i cili është shumë i nevojshëm”, theksoi ai.
Ndërsa, drejtori për Shëndetësi në kryeqytet, Izet Sadiku tha se studimi i sotëm hap rrugë për hapat tjerë drejt ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.
“Sot ka ardhur koha që kompania ta shpalos këtë projekt dhe faktikisht të vazhdojmë bashkarisht komuna e Prishtinës dhe institucionet tjera dhe në këtë moment veçanërisht ministria e Shëndetësisë hapat e mëtutjeshëm për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës i cili sipas ligjit të kryeqytetit Prishtina ka të drejtë për ofrimin e shërbimeve sekondare shëndetësore ku bënë pjesë edhe Spitali i Prishtinës”, theksoi Sadiku.
Ndërsa, përfaqësuesi i “ICME HEALTHCARE”, Cyril Toma kompani e cila bashkë me Alb Architeckt, kanë punuar në planin e fizibilitetit për Spitalin e Prishtinë, tha se komunat tjera kanë spital të përgjithshme dhe një i tillë i mungon Prishtinës.
“Të gjitha qytetet tjera në Kosovë kanë spitale të përgjithshme që ofrojnë kujdesin sekondar, nëse e shihni Prishtina ka sektorin primar të kujdesit shumë të zhvilluar dhe atë terciar të QKUK-së, por mungon ai dytësor apo sekondar. Në mënyrë që të ketë kujdesin parësor shëndetësor dhe terciar është problem sepse referimi do të kaloj nga ai primar në terciar dhe do t’i mbingarkoj këto objekte terciar…Ky studim është bërë për të parë pse është në mënyrë historike që QKUK ka qenë e fuqishme dhe është kujdesur për gjithë popullsinë”, theksoi ai.