Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të takimeve gjatë pjesëmarrjes në Komunitetin Politik Evropian në Pragë, ka takuar kryeministrin e Sllovakisë, Eduard Heger. Kështu ka njoftuar Zyra e Presidentes Osmani.
“Presidentja Osmani e informoi kryeministrin Heger mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë përkushtimin e popullit dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e rrugës euroatlantike të vendit. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur rëndësinë e përmbylljes urgjente të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Heger kanë theksuar nevojën për t’i tejkaluar bashkërisht sfidat me të cilat po ballafaqohen vendet tona, duke përmendur përkushtimin për të forcuar bashkëpunimin.