Presidenca e Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me deklarimet e të parës së shtetit në një medium zviceran.
Osmani në një deklarim të saj për mediumin zviceran “Blick”, nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët tanë të infektuar me COVID-19, porse ka apeluar për vaksinimin e të gjithëve, thuhet në sqarim.
Për më tepër, Osmani ka theksuar se nuk është koha për akuza reciproke, porse për angazhim të përbashkët për vaksinim masiv të të gjithë qytetarëve në Zvicër, por edhe në Kosovë.
Presidenca e Kosovës konsideron se devijimi i deklarimit të presidentes Osmani vetëm sa i kontribuon negativisht angazhimit për vaksinim.
“Nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën! Të gjithë kemi të drejtë të informohemi dhe atë shpejt, por para se gjithash saktë”, thuhet në sqarimin e Presidencës.