UBT News

​Policia sqarohet rreth raportimeve se rusi i shpallur non-grata është në Prishtinë

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me pretendimet se “Rusi i shpallur non-grata nga Kosova shfaqet në mes të Prishtinës”.

Nga Policia kanë sqaruar se këto raportime janë të pavërteta dhe se Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimet dhe publikimet e bëra në disa media televizive dhe të shkruara në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat shfaqin tituj dhe video ekskluzive: ‘Rusi i shpallur non-grata nga Kosova shfaqet mes Prishtinës’. Këto informacione janë të pavërteta dhe Policia sqaron se: Dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarimin e policisë.

Policia ka theksuar se nga 23 tetori të dy të lartcekurit nuk kanë hyrë në Kosovë. ndërsa personi i cili është shfaqur në fotografi të publikuara nga mediet thonë se është V.L person i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovës, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.

“Vlen të potencohet se të njëjtit, nga data 23.10.2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”, potencohet në sqarimin e policisë. 

Exit mobile version