UBT News

​Policia me urdhër operativ për zgjedhjet e 14 shkurtit

Policia e Kosovës përmes hartimit të urdhrit operativ policor, thotë se me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Policia thotë se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë bashkërenduar dhe koordinuar aktivitetet e përbashkëta me Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përderisa në aspektin policor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e planit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z), periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Sipas planifikimeve policore, qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, gjithnjë duke zbatuar edhe për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës, vendimet e Qeverisë së RKS-së, vendimet dhe qarkoret Ministrisë së Shëndetësisë si dhe rekomandimet e IKSHP-së.

Po ashtu, PK bëri të ditur edhe qëllimet e tjera të këtij urdhri operativ.

“Sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, Depove Komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe Depos Qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor. Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës po ashtu thotë se ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet e tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit. Andaj, Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre”, përfundon komunikata.

Exit mobile version