Policia e Kosovës mbrëmë në veri të Mitrovicës ka gjetur gëzhoja të plumbave të armëve të llojeve të ndryshme si dhe disa kuti me mjete piroteknike.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti është hapur si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Deri më tani nuk ka ndonjë person të arrestuar, por policia është duke shikuar pamjet e regjistruara nga vendi i ngjarjes, nga festa me armë zjarri për fitoren e Vuçiqit.
Pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve në Serbi që nxorën fitues Aleksandër Vuçiqin, serbët në veri të vendit janë mbledhur për të “festuar” duke shkaktuar kolonë veturash, me ç’rast kanë përdorur edhe armë të zjarrit.
“Policia e Kosovës ka bërë shpërndarjen e turmës, dhe në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja të armëve të llojeve të ndryshme si dhe disa kutia me mjete piroteknike. Me urdhër të prokurorit është hapur rasti si më lartë dhe vazhdon të hetohet nga njësitë relevante”, thuhet në raportin e Policisë.