Policia e Kosovës ka hasur në disa pengesa me drunj në disa rrugë në Zubin Potok, gjatë patrullimeve dhe hetimeve me qëllim parandalimin e dukurive të kundërligjshme në kufi.
Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se të enjten Policia Kufitare ka larguar pengesat për të liruar për qarkullim rrugën dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë në fshatin Bube në komunën e Zubin Potokut.
“Më datën 03.03.2022 në orën 20:15 , në fshatin Bube, komuna e Zubin Potokut, patrulla policore në rrugë ka vërejtur të vendosura disa pengesa me drurë të cilat ishin vendosur në rrugë me qëllim për të penguar qarkullimin e automjeteve. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësi të tjera patrulluese kufitare dhe kanë larguar pengesat (drunjtë) për të liruar për qarkullim rrugën dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë në këtë lokacion”, thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës është duke kryer hetime lidhur me rastin përderisa është e përkushtuar drejt realizimit të objektivave strategjike për të parandaluar aktivitetet kriminale, kontrabandën dhe krimin transkufitar. Të gjitha veprimet policore ndërmerren në bashkërendim me autoritetet kompetente vendore.