Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona për vrasjen që ndodhi në orët e para të së martës në Prizren, ku i plagosur mbeti edhe një tjetër person.
“Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti, dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin, janë sekuestruar disa dëshmi.
“Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar meshkuj kosovar dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet po aty derisa bëhet e ditur se në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja.
Njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë si dhe veturën e viktimës.
Rasti i cili është hapur si “vrasje e rëndë/shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore.