UBT News

​Policia jep detaje për rastin e Milan Radojiçiq

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e Milan Radojçiq. Sipas Policisë së Kosovës, dje në orët e pasdites, në pikë kalimin kufitar Bërnjak, nga drejtimi i Serbisë për të hyrë në Republikën e Kosovës, ka ardhur një automjet në të cilin kanë qenë personi M.R. mashkull serb së bashku me një bashkudhëtar.

Në një komunikatë për media të Policisë thuhet se zyrtarët kufitarë sipas detyrave dhe procedurave të kontrollit kufitar, kanë ndaluar automjetin dhe kanë filluar procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të automjetit dhe personave në automjet.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitarë kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që të parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi gjatë parkimit me veturë është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë. Duke pasur parasysh pikën kufitare të integruar si pikë kufitare e përbashkët dhe mundësisë për të kaluar shpejtë në pjesën e Serbisë, zyrtarët policorë nuk kanë arritur që ta ndalojnë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka rekomanduar të iniciohet rasti pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës”, thuhet në komunikatë.

Me qëllim të hetimit të sjelljeve dhe veprimeve të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor për hetime dhe kompetencë të mëtejme.

Exit mobile version