Policia e Kosovës në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri.
Bazuar në informacionet dhe paralajmërimet për mbajtjen e protestave/tubimeve për sot, në disa komuna me komunitet serb, Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale.
Plani operacional i PK-së parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave/tubimeve të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Si çdo herë, Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.
Ndryshe, Lista Serbe ka paralajmëruar për sot protestë në orën 15:00 në Mitrovicën Veriore, në shenjë proteste ndaj vendimit për gjobitjen e pronarëve me targa ilegale duke nisur nga dita e nesërme.