Në kuadër të planit operacional të Task Forcës, në zonën kufitare “Lindje”, Policia e Kosovës në dy raste të ndara ka bërë parandalimin e kontrabandimit me mallra.
Policia ka njoftuar se pas mesnate, në hyrje të fshatit Pasjan janë ndaluar dy vetura me targa të Serbisë në të cilat janë gjetur qindra shishe me pije alkoolike.
“Me datën 27.06.2023 rreth orës 00:25 në hyrje të fshatit Pasjan është ndaluar vetura Mercedes me targa të Serbisë, e drejtuar nga i dyshuari M. S., si dhe vetura tjetër po ashtu Mercedes me targa të Serbisë e drejtuar nga i dyshuari Z. I. Gjatë kontrollit tek vetura e parë janë gjetur dhe janë konfiskuar 35 arka x 20 shishe pije alkoolike, kurse tek vetura e dytë gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë konfiskuar gjithashtu 29 arka x 20 shishe pije alkoolike”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Në konsultim me prokurorin kujdestar, malli i konfiskuar është përcjellë në terminalin doganor, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësiti kompetent.