UBT News

​Policia e Kosovës: Jarinja e Bërnjaku ende mbesin të mbyllura për qarkullim

Policia e Kosovës njofton se pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak ende mbesin të mbyllura për qarkullim.

Në njoftimin e PK-së thuhet se referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media thotë se edhe përkundër rrethanave, mbetet e angazhuar që t’u dalë në ndihmë qytetarëve pa dallime.

“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës. Në këtë drejtim, bazuar në informacionet që posedon, Policia e Kosovës po bashkëpunon ngushtë me institucionet relevante të sigurisë, në ndërmarrjen e masave të nevojshme ligjore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues të RKS-së, mundësimit të lëvizjes së lirë dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë./UBTNews/

Exit mobile version